-Shënime për aktorin e talentuar Viktor Bruçeti ( 26.02.1938 – 08.10.2010 ) të teatrit “Migjeni” të Shkodrës, aktori që është i nderuar me titujt: “Artist i Merituar, “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”.-
*E përshpirtëshme, në një 80-vjetor…
Në tavolinës time të punës rrinë ca shënime, që koha nuk i zverdhë e vitet nuk i pluhurosin. Rrinë, ashtu, në heshtje dhe flasin në heshtje… Shënimet flasin për jetën dhe veprimtarinë teatrore dhe kinematografike të aktorit zëmadh që quhet Viktor Bruçeti. Pranë shënimeve qëndron edhe një ftesë, e cila thotë: “F T E S Ë Ju ftojmë të na nderoni me pjesëmarrjen tuaj në skenën e Teatrit “Migjeni”, të dielën, me datë 20 maj 2018, ora 19.00, “Me VIKTOR BRUÇETIN në 80-vjetor””. Ky aktivitet përkujtimor e mbresëlënës u zhvillua 3 vjet më parë. Edhe për atë moment prekës, përmallues e përkujtues kisha mbajtur shënime.
Shënimet thonë: “Aktori, Artisti i Merituar, Viktor Bruçeti “ngjitet përsëri” në skenën e teatrit “Migjeni”, në 80-vjetorin e lindjes. “Ngjitet”… në mënyrë krejt origjinale për ta patur në mes tyre dhe nesh, përsëri, Viktor Bruçetin, pikërisht në skenën ku ai interpretoi plot dritë rolet e tij të paharruara… Kolegë, miq, të njohur e familjarë të Viktorit, “u ngjitën” në skenë dhe dëgjuan të heshtur e në pikëllim një nga interpretimet e tij më të fuqishme, atë me titull “Poema e mjerimit” të Migjenit, që aktori Bruçeti e kishte për zemër. Ashtu siç kishte për zemër figurat e Markut e të Palit, që i skaliti me talentin virtuoz të tij.
Ashtu siç kujtonte regjisorin Serafin Fanko për punët e tij regjisoriale, po ashtu kujtonte dhe aktorin Fanke Jordake, një nga yjet e artit rumun që ka shkëlqyer për disa dekada në atë vend, i cili ka qenë dhe ish-kolegu i Viktorit më i mirë në bankat e jetës Akademike.
… papritur, ngadalë-ngadalë fiken dritat. Si në teatër. … …papritur, një e kuqe mbretëron, pastaj zbehet, për t’ia lënë vjollcës shkodrane si ngjyrë.
… papritur, ngadalë-ngadalë, përsëri fiken dritat. Kësaj here në skenë. Pas disa çasteve dritat ndizen dhe mbretëron një ngjyrë blu e ëmbël, e kthellët që të ka ënda ta kundrosh dhe ta dashurosh. Ngjyrë që skena e njeh. Siluetat e të pranishmëve nuk mbeten më të tilla. Zbulohen të parët. Janë aktorët, që kanë interpretuar së bashku me aktorin e talentuar Viktor Bruçeti. Kanë qenë partnerë. Dikush më shumë e dikush më pak. Por të gjitha ruajnë kujtime. Një botë kujtimesh shëtit gjatë gjithë skenës!… Një shëtitje e pazakontë, që fal emocion, atë emocion që të fal vetë magjia e skenës.
Dritat e skenës shquajnë edhe të pranishmit e tjerë. Janë familjarë, të afërm, miq, shokë të Viktorit, që… ashtu si aktorët janë mbledhur (edhe ata në skenë) përreth Viktor Bruçetit, për t’i, festuar ditëlindjen e 80-të! Më pranë Viktorit kësaj here!.. Por më pranë tij, si gjithmonë, është e para, e shoqja, Miriami. Edhe ajo aktore. Në disa pjesë teatrore e në disa filma kanë interpretuar së bashku. Kësaj here, në këtë përvjetor është ndryshe, ndonëse, përsëri, janë bashkë… Kësaj here… dora e saj, teksa dridhet (dridh dhe ajrin e skenës) prek fotografinë e të shoqit rrethuar mes luleve. Në at’ prekje… Miriami… afrohet më shumë. E lëmon aq butësisht, sa nuk don t’ia trazojë qetësinë qiellore të amëshimit… Viktorit, që kësaj here është i rrethuar nga shumëngjyrëshmëria e luleve dhe drita e dashamirëve. Por, Viktori, kësaj here është i rrethuar edhe nga një set fotografish-role, – që siç u tha me të drejtë, – njëri rol nuk i ngjan tjetrit, sepse janë realizuar përmes talentit të Viktorit.
Miriami, krahas dorës që e përkëdhel, loti i shëtit sa në njërin sy në tjetrin, pa trazuar askënd…Shpirti i qan. E vështron Viktorin, e s’ngopet së vështruari… Diç don t’i thotë… Diç i pëshpërit pa pushim… Por, ah! – dhe… për të ndalur sadopak dhimbjen e kësaj gruaje, vjen zemra…, vijnë zemrat (vajza dhe djali, pra, Marsida e Beni) dhe i falin Viktorit rradhazi tik-tak-et e rrahjes prindërore, vetëm ata i kuptojnë, i njohin dhe i dijnë aq mirë… I falen deri në përulësi. Ky moment për dëshirën e Miriamit do të duhej të zgjatej deri në pafundësi… Këtë pafundësi ia rezervon si arkiv vetëm kujtesa.
Miriami nuk ia heq vështrimin… derisa vështrimi i saj bëhet një me vështrimin e Viktorit. Njëjtësohet. Si një diell që nuk njeh perëndim. E në këtë moment drithërues e të pazakontë, më kujton një pasazh të shkrimtarit Aleko Likaj, i cili thotë: “Viktor Bruçeti jeton ende me ëndrrën e madhe të skenës.
I moshuar nga pesha e viteve, por veten e konsideron ende të ri. Larg atdheut që prej një dekade, së bashku me Miriamin, gruan e tij, edhe kjo aktore e Teatrit të Shkodrës, bëjnë një jetë të qetë, larg skenës dhe teatrit, që e konsiderojnë shtëpia e aktorëve, në Angoulemë, qytet piktoresk e historik afër qendrës së Francës. Ndajnë gjithçka në hapësirën e ditës, midis shtëpisë dhe shëtitjeve nëpër parqe të periferisë. Jetojnë me kujtimet e veprën artistike që lanë pas. … Por nuk e harrojnë Shqipërinë. Atje, ku thotë Çajupi, “na ka rënur koka”. … Këtu në Francë, shumicën e kohës e kalojnë nëpër parqe, që janë gjithmonë të gjelbëruara. Qëllon që Viktori shëtit vetëm por në të shumtën e rasteve shëtit me Miriamin. Kur shëtit në park, Viktori reciton për veten e tij. Shumicën e rasteve, “Tringën” e Mjedjes. I duket se është më afër me skenën, mbi të. Jeton me të dikurshmen dhe me të ardhmen e tij në ato momente. Dhe, vazhdon që, -siç thotë me të qeshur, – të ëndërroj si një njëzetvjeçar”.
*Viktori thotë…
1.
“Teatri është një djep i mrekullueshëm për aktorin ku ai përkund ëndrrat e jetës së tij. Jeton në skenë. Sikur që një shpend të mos fluturojë e të prek qiejt. A mundesh që ta ndalosh? A mund që të jetë zog kjo krijesë e mrekullueshme e hapësirave qiellore? Kjo vlen edhe për ne aktorët. Jo vetëm karriera, por edhe jeta e tij kalon e mbetet veçse në ato 8 metra pod, që ne i thërrasim skenë, me shqetësimet e gëzimet që të fal ajo magji që quhet teatër. Ai bën që të ndryshojë jetë njerëzizsh që e ndjekin në sallë.”
2.
“Shumë nga kolegët e mi thonë se rolet janë si fëmijët tanë. Unë do të thosha diçka më ndryshe se kaq. Mbase më shumë nga një pikëpamje, ato realisht janë një tjetërsim, pavarësisht nga zemra që ne aktorët i japim personazhit. Kjo do të thotë që të futesh nën lëkurën e dikujt që ti as e njeh, por edhe e ke njohur kurrë. Madje, nuk do të kesh mundësi kurrë. Kupto këtu se sa të ndryshëm janë nga njëri-tjetri këto figura që të duhet të krijosh në skenë për të tjerët, ata që të ndjekin në sallë, dhe që presin të edukohen nga shkalla e besueshmërisë që ti i jep atij roli. Unë personalisht nuk do t’i klasifikoja rolet në tradicionalen që jemi mësuar t’i emertojmë, në role pozitive dhe në role negative. Kjo nuk është e rëndësishme për një aktor të formuar. Sepse, pa asnjë përjashtim kërkojnë të njëjtin përkushtim për t’i krijuar, të njëjtin mundim e pasion prej aktori. Por, realisht, si për statistikë, jeta dhe karriera e një aktori kalon nëpër qerthullin e tre etapave. Tek rolet me heronjtë, rolet negative e role komike. Ky në të vërtetë është edhe cikli ku kalon karriera e një aktori përgjatë skenës. Unë kam pasur pak më shumë se 130 role në skenë dhe 14 të tjera në filmat artistikë. Që të gjithë të dashur për mua.”
3.
“… një nga dashuritë e mija, që ende nuk është harruar është recitimi. Në një farë mënyre ia kam parë hajrin. Ja, bie fjala, më zbuloi dhe më dha shoqen e jetës, Miriamin. Aktor i ri në atë kohë, shkoj e marr grupin e recituesve të shkollës pedagogjike të Shkodrës. Detyra ime ishte që të zbuloja talente për këtë shkollë. E në fakt, bëra dy punë me vlerë. Gjeta një recituese “exelance”, siç thonë francezët për të përfaqësuar shkollën, por edhe një shoqe për jetën time. Më vonë Miriami u shkollua në dramaturgji e punoi me mua në të njëjtin kolektiv teatror. “Çifti i lumtur”, na thoshin ne kolegët artistë. Kemi qenë shumë herë partner në teatër dhe në film. Bashkë po i ngysim këto ditë edhe këtu larg atdheut. Ndërsa, për pasionin, ose më saktë “pengun” tim do të thosha pa asnjë mëdyshje, është rikthimi në skenë. Të më jepej mundësia që të ngjitesha përsëri, ndonëse, tashmë, i shkuar në moshë… Të luaja në atë hapësirë skene prej 8 metra përpara një salle gjysmë të ndriçuar dhe që më ndjek në të gjitha detajet e lëvizjet e interpretimit tim. Por, në fakt është një ëndërr që me sa duket nuk do të realizohet kurrë. Kam qenë një aktor i emocioneve të mëdha, pasi unë i kam jetuar ato.”
4.
“… unë edhe sot kam për zemër rolin e Migjenit tek pjesa e Ton Shoshit, Palin te “Përkolgjinajt” të Kolë Jakovës, por edhe Markun te “Ftesë për darkë” e Stefan Çapalikut, që konsiderohen si pozitivë. Në jetën time të gjatë në skenë që shkon përtej të dyzet vjetëve, më është dashur që të luaj edhe role nga ato që ne i themi negative, por që edhe qëndrojnë si koncept për shoqërinë në etapa të ndryshme të zhvillimit të saj. Harapi i Shkodrës tek drama “Baca i Gjetajve”, është konsideruar si një nga rolet më interesante të krijimtarisë sime si aktor…”
5.
“… pas studimeve në Rumani, erdha në qytetin tim të lindjes, në Shkodër. Vërtetë që unë gjeta aty një ambient tepër të ngrohtë, por edhe njerëz të mirë e të talentuar. Thonë që teatri ka lindur në Shkodër, kjo për shkak të traditës së hershme që ka pasur ky komunitet njerëzish që banojnë aty. Ato vite, kur mbërrita atje jeta teatrore ishte në lulëzim të plotë. Nga kjo skenë kanë dalë shumë aktorë të mëdhenj, që unë nuk mund t’i rendis që të gjithë se druhem mos harroj ndokënd e pastaj më mban mëri edhe ndonjë miku im. Ka qenë një plejadë e mrekullueshme, që fatkeqësisht mungojnë shumë sot. Por, Shkodra, përveç aktorëve, krijoi edhe dramaturgë të një niveli të lartë e që kanë përfaqësuar denjësisht skenën shqiptare me veprat e tyre.”
Shënim: Thëniet e Viktorit janë marrë nga intervista që ka bërë shkrimtari Aleko Likaj me aktorin Bruçeti. Gjatë teksteve janë bërë ndërhyrje të vogla, pasi është parë e domosdoshme.
*Po kush është Viktor Gjon Bruçeti?
Viktor Gjon Bruçeti u lind, më, 26 shkurt të vitit 1938 në Shkodër, te një shtëpi të vogël me pullazinë me maje, në lagjen “Badra”. Viktori ishte fëmija i tetë i Linës dhe i Gjonit. Familja ishte e madhe dhe numëronte 12 vetë. Me ta jetonte edhe nanadaje Lena dhe daja Kolë. Nga pikëpamja ekonomike, familja ishte e varfër.
Fëmijërinë Viktori e kaloi mirë, pasi vëllezërit ishin rritur dhe kishin nisë nga puna.
Shkollën fillore e kreu në “Vasil Shanto”, kurse uniken në shkollën “Ndoc Mazi”. Ka qenë nxënës i mirë, dhe sipas bashkënxënësve të asaj kohe, tregojnë se kur ishte puna për recitime dhe këngë Viktori i përfaqësonte denjësisht, gjithmonë. Gjatë kësaj periudhe ka marrë pjesë në shfaqjet e organizuara nga Shtëpia e Pionierit. Ishte i preferuari i serenatave që bëheshin aso kohe në Shkodër.
Shkollën e mesme e kreu në Liceun artistic “Jordan Misja” në Tiranë, dega e aktrimit, ku shkëlqeu. Para se të mbaronte vitin e katërt, interpreton në filmin “Furtuna”. Me këtë film i shfaqet një dritëz e re në kinematografi. Në vitin 1959 fillon studimet në Institutin “Jean Luka Karaxhale” në Bukuresht (Rumani), dega regji teatri. Ishte student i mrekullueshëm. Gjatë studimeve, fotoja e tij si student i dalluar rrezatonte në murin e shkollës. Kjo zgjati deri në vitin 1961. Pas prishjes së marrëdhënieve, studentët u detyruan të ktheheshin në vendet e tyre. U kthye dhe Viktori në atdheun e tij, për të vazhduar studimet në Shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” në Tiranë.
Po pasqyrojmë disa rezultate të provimeve dhe paraprovimeve që i bashkëngjiten diplomës Nr. 19.
Studenti Viktor Bruçeti gjatë kohës së studiemeve në Shkollën e Lartë për aktorë “A. Moisiu” ka dhënë këto provime dhe paraprovime:
Letërsi shqipe (Sh. Mirë), Histori e Arteve figurative (Sh. Mirë), Të folur skenik (Sh. Mirë), Mjeshtri aktori (Sh. Mirë), Histori teatri Botnor (Sh. Mirë), Estetikë (Sh. Mirë), Mjeshtri aktori (provim shteti) Sh. Mirë, Mjeshtri aktori (provim shteti) Sh. Mirë, Histori Teatri Shqiptar (Sh. Mirë), … etj. Drejtori: A. Malo, Tiranë, më 16-7-963. (Vertetohet se asht nji me origjinalin). Shkodër, më_________ 1964.
DIPLLOMË
Seria Nr. 19
Student Viktor Gjon Bruçeti hyri në vitin 1959 – 60 dhe mbaroi në vitin 1962 – 63 kursin e plotë të Fakultetit MJESHTRI AKTORI TË Shkollës së lartë për aktorë “ALEKSANDËR MOISIU” në degën E mjeshtrisë Aktorit.
Me vendim të komisionit shtetëror të provimeve dt. 28 – VI – 63
I jepet titulli Aktor
Kryetar i Komisionit shtetëror të provimeve
A. Malo d.v.
Drejtori i Shkollës A. Malo d.v.
Sekretari i Shkollës B. Kosova d.v.
Tiranë, më 16-VII-63
Nr. I rregjistrit 5.
Vertetohet se asht nji me origjinalin.
Shkodër, me _________ 1964
Viktori bën pjesë në kuadrot e para aktorë të dalë nga Shkolla e lartë e arteve në Shqipëri. Në gusht të vitit 1963 filloi punën si aktor në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku do të punonte deri në janar të vitit 200, kur doli në pension, pra, pas 37 vjet pune, duke lënë pas një galeri rolesh, tipash e karakteresh të papërsëritshme, si në teatër ashtu edhe në kinematografi. Recitues i mrekullueshëm. Vdiq, më, 08.10.2010.
Është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar”, 1989.
Me rastin e 70-vjetorit të Teatrit “Migjeni” është nderuar me titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”, 2019.
*Pjesë dhe role të aktorit Viktor Bruçeti
-“Hijet në rrugë” (në rolin e Vahidit) 28.11.1963, -“Zekthi” (në rolin e Zekthit e të Kapitenit, dublant me Esat Oktrovën dhe Serafin Fankon. Viktori ka interpretuar 5 herë), -“Përtej prakut” (në rolin e Hansit) 27.05.1964, -“Njerëz të brezit tonë” (në rolin e Kadriut) 29.11.1964, -“Përkolgjinajt” (në rolin e Lekës) 26.05.1965, -“Familja e Peshkatarit” (në rolin e Sadikut, dublant me aktorin Paulin Lacaj) 12.03.1966, -“Si u kalit çeliku” ( në rolin Burri i Tonias) 30.06.1966, -“Para agimit” (në rolin e Majorit) 19.04.1967, -“S’ndalet lumi me gardh” (në rolin e Zefit) 27.05.1967, -“Fisheku në pajë” (në rolin e Markut, dublant me aktorin Ymer Bala. Është dhe as / regjisor) 29.07.1967, -“Shqiponjat” (në rolin e at Damarjanit, është as / regjisor, së bashku me Jonuz Dinin dhe Elez Kadrinë), 30.12.1967), – “Drita” (në rolin e Drejtorit të fabrikës, dublant me aktorin Paulin Lacaj), 13.10.1968, -“Toka jonë” (në rolin e Murrash Gjokës, dublant me aktorin Ymer Bala), 11.11.1970, -“Krisma mbi dekor” (në rolin e Ferhatit, dublant me aktorin Lec Bushati) 10.07.1971, -“Viti ‘61” (në rolin Nënpunësi A) 25.11.1971, -“Ëndrra e tokës” (në rolin e Ramiut) 20.12.1972, “Katër nga armata” (në rolin e Veliut), 19.03.1973, -“Koncert dramatik, 29.09.1973, -“Cuca e maleve” (në rolin e Dom Markut, dublant me aktorin Serafin Fanko) 19.05.1973, -“Fytyra e dytë” (në rolin e Muhametit, dublant me aktorin Zeherudin Dokle. Në këtë shfaqje interpreton për herë të parë së bashku me Miriamin, bashkëshorten e tij) 14.11.1973, -“Djem të mbarë” (në rolin e Markut) 18.03.1974), -“Shpartallimi” (në rolin e Bertit) 18.07.1974, -“Nora” (në rolin Selim Beu) 28.04.1975, -“Zani partizani” 13.11.1975, -“Vajza nga kantjeri” (në rolin e Tomës, dublant me aktorin Bep Shiroka) 15.12.1975, -“Koncert i fjalës artistike”, 16.05.1976), -“Lindje në shtërngatë” (në rolin e Gjonit) 10.07.1976, -“Rrënjët e hekurta” (në rolin e Tahsimit), 28.09.1976), -“Përmbytja e madhe” (në rolin e Pal Përkolës) 22.05.1977, -“Jehona e një dite shkurti” (në rolin e Palokës, dublant me aktorin Ramiz Rama) 27.11.1977, -“Ditët që sollën pranverën (film televiziv) 13.03.1979, -“Shota” (në rolin e Kolonel Milanit, është dhe as / regjisor) 27.05.1978), -“Kur flasin zemrat” (në rolin e Mehdiut) 25.11.1978, -“Baca I Gjetajve” (në rolin e Harapit) 11.04.1979, -“Fundi i një komedie” ((në rolin e Tushit) 1979, -“Vizita e inspektorit” (në rolin e Berlingut) 1980, -“Kanga e dhimbës krenare” (sofër poetike, 1980), -“Jetë e dashuri” (në rolin e Simonit) 03. . 1980, -“Rrënjët e dashurisë” (në rolin e Lirimit) tetor 1982, -“Hetimi” (në rolin e Dëshmitarit) 04.07.1983, -“Portreti” (në rolin e Nikos, dublant me aktorin Gjon Kola) 06.12.1983, -“Të gjithë të qeshur” (në rolin e Et’hem Mullaj, është dublant me aktorin Ramiz Rama) 1984, -“Kaçakët” (në rolin e Nashos) 19.01.1985, -“Një fund i tillë” (në rolin e Orhanit) 01.09.1985, -“Rozafa” (në rolin këshilltar i pleqve të Skodronit) 15.11.1986, -“Korrupsion në pallatin e drejtësisë”(në rolin e Krocit) 10.11.1988, -“Procesi Bush” (në rolin e Kryetarit të gjykatës) 06.08.1989, -“Kur të vret e mira” (në rolin e Fuatit) 27.04.1989, -“Shtegtim nëpër ankth” (në rolin e Leitnantit) 17.01.1989, -“Flamur në dasëm” (në rolin e Aqifit. Në këtë premierë Viktorit nderohet me titullin “Artist i Merituar), -“Franku i V-të” (në rolin Rikard Egli) 1991, -“Ndëshkimi” (“Neni 55”) (në rolin e Rudit, është dublant me aktorin Elez Kadria) 1991, -“Pse?”, 20.09.1992, -“Vëlla i Zotit tonë” (në rolin e Luçianit) 1993, -“Kiameti” (në rolin e Arçibalit) 1994, -“Çmurosja” (në rolin Korifeu) 04.11.1994, -“Metamorfoza” (në rolin: Një katundar pa mustakë) janar 1997, -“Për një L.” (në rolin e Braçes. Viktorin ka 60-vjetorin e lindjes dhe 35-vjetorin e veprimtarisë artistike që e feston në skenë.) 26.02.1998, -“Një britëm e kohës” (në rolin: Kori i burrave) nëntor 1997, -“Ftesë për darkë” (në rolin e Lodovikut) 17.09.1995, -“Ferri i diktaturës” 29.03.1996., etj.
KINEMATOGRAFI
-“Furtuna”, 1959), -“Komisari i Dritës” (1966), -“Thirrja” (në rolin e Palit, Kryetari i koperativës, 1976), -“Çeta e vogël, 1979), -“Një natë pa dritë” (në rolin e Inspektorit, 1981), -“Qortimet e vjeshtës” (në rolin e Prefektit, 1981), -“Thesari” (në rolin e Spiceri. Në këtë film luan edhe e shoqja, Miriami në rolin e Sofisë.) 1981, -“Besa e kuqe”, 1982), -“Flaka e maleve” (në rolin e Hakiut, 1983), -“Të paftuarit”, 1985), -“Hijet që mbeten pas”, 1985). etj.
*Viktor, të kujtohet…
Viktor, të kujtohet!..
Ke interpretuar me një plastikë të jashtëzakonshme rolin e Krocit, në dramën “Korrupsion në pallatin e drejtësisë”. E pat vënë me finesë e aftësi regjisorja Margarita Koka, në vitin 1988. Interpretoje në atë mjedis skenik, ku ngjarjet e dramës zhvilloheshin në një vend të papërcaktuar, edhe personazhet kishin emra disi të pazakontë. Megjithatë, pas mbarimit të shfaqjes, gjithkujt i ngulitej bindja se të tilla ngjarje nuk janë as të huaja, as të jashtme, por tipike edhe për mjediset e drejtësisë. Gjatë interpretimit admirues, ti kuptoje dhe zbërtheje rolin si aktor i pëlqyer, sepse kishe kuptuar devizën e dramës: -Korrupsioni buron nga lart. Çështja kryesore për ta është të gjendet “cjapi i larjes së hesapeve”, të gjendet dikush në këtë moçal të ndyrë që të paguajë për të gjithë. Krahas aktorëve të tjerë, si: Elezi, Rajmonda, Agroni, Fatbardhi (Bardhi), Frederiku, Gjoni, Kola, Rita, Ramizi,
Enveri, në marrëdhëniet aktoriale e shumëplanëshe, ju krijuat një shfaqje komplekse e njëkohësisht harmonike në komponentët e saj, ku dukej qartë lufta e tërbuar dhe e pamëshirshme për karrierë, si dhe administrimi i drejtësisë nga njerëz kokë e këmbë të korruptuar. Ju, si ekip, me marrëdhënien e individualitetin e personazheve që krijuat, i rritët më tej vlerat autorit të veprës, Ugo Betit.
E mos harro, edhe pse kanë kaluar 33-vjet nga ajo premierë, tingëllimi i mesazhit të veprës është gjithnjë aktual.
Viktor, të kujtohet!..
Në çdo hap që bëje në ato të qytetit të huaj, Ti jetoje me kujtimet e veprave skenike e artistike që kishe lënë pas. … Por, për asnjë çast, nuk e harroje qytetin e lindjes, Shkodrënloce, nuk e harroje Shqipërinë. Ndaj, vazhdimisht, përmendje si refren vargun e Çajupit: “Mëmëdhe quhet toka / ku më ka rënë koka”.
Në Francë, shumicën e kohës e kaloje nëpër parqe. Parqet, këtu, janë gjithmonë të gjelbëruara. E kishe si ritual të përhershëm. Shëtisje vetëm, por më shumë përkrah Miriamit. Ti ndoshta nuk e di, por sytë e saj, ende edhe sot e kësaj dite, ruajnë një pikë a shumë pika loti për Ty. Në ato pika loti është fshehur dhe rri e patrazuar Dashuria.
Ti shëtisje dhe recitoje Mjedjen, Migjenin, Kadarenë, Fishtën, Agollin, Arapin, Camajn…
Recitoje, shpesh e më shpesh, Mjedjen që e kishe për zemër me “Andrrën e Jetës”. Viktor, ti ishe një ËNDËRR JETE, e dashuroje Jetën dhe ëndrrat e saj, ashtu siç dinë të dashurojnë Artistët e mëdhenj e të paharruar… Mjafton të dëgjosh zërin tënd brilant, teksa recitoje, secili nga ne kuptonte si i pushtoje hapësirat dhe si na i falje me dashuri hapësirat e shpirtit! /Nga Xhahid BUSHATI, publikuar në Facebook, Shkodër, 08.10.2021/