
Serenata nostalgjike aq e bukur e kujtimeve, intensiteti i vibratos në sentiment, me tingujtë emocional pulsues, më çuan në dialog me kohë të largëta, duke u ankoruar në të tashmen. Kryesisht kur në ato kujtime ndriçojnë figura modelesh, që lënë gjurmë në jetën tënde, nuk mund ti braktisësh në hijen e mosnjohjes dhe të harresës gijotinë…
Një mbasdite dimri të vitit 1966, në shëtitjen e zakonshme me shokët e tij, im atë dëgjoi për një pedagog të ri, të ardhur nga Shkodra, i cili nuk po gjente një dhomë për të jetuar, i destinuar të qëndrojë në hotel “Sazani”, për javë të tëra. Mbase, prejardhja aristokrate dhe “njollat” në biografi, ja privonin atë të drejtë aq të thjeshtë, si njeri i “pa preferuar”. Mungesa e reagimit nga kolegët ndaj këtij fakti, fliste me heshtjen. Im at thithi cigaren deri në fund, ju kujtuan vështirësitë që hasi, kur u transferua nga Gjirokastra në Vlorë, mbasi përfundoi Normalen e Elbasanit dhe e theu heshtjen,duke shprehur dëshirën, t’ia hapte derën e shtëpisë djaloshit të ri.
Kështu pedagogu Gjergj Kacarosi, (ose Gjush siç shkodranët e quanin) një djalosh elegant, i gjatë, bjond, me sy të thellë gri, në bojë qielli, aq shprehës, u vendos në shtëpinë tonë ose me saktë, u bë pjesëtar dinjitoz i familjes tonë.
Ai ishte një tip i veçantë, flegmatik, mbase dhe i rezervuar, me edukatë dhe kulturë të admirueshme, i hijeshuar nga mirësjellja fisnike. Por qysh në fillimin e karrierës, u ndesh me sfidat tinzare “të fatit”…
Nëna ime nuk kishte ditë të mos i çonte në dhomë, pjatën e gjellës dhe frutën. Më kujtohet kur mbrëmjeve të ftohta të dimrit, mbasi kthehesh nga gjimnazi i natës, ku jepte mësim në matematikë e fizikë, mamaja e priste tek dera dhe e ftonte në guzhinë, për tungrohur duke i servirur dhe një pjatë supë, që atij i pëlqente.
Sa herë kisha ndonjë problem të vështirë në matematikë dhe I drejtohesha për zgjidhjen, ai duke luajtur me një laps në dorë, pasi mendohesh pak, më thoshte rezultatin.
Kishte një intuitë të veçantë, por më bënte përshtypje që radioja e ti e vogël, fliste vetëm mes tingujve muzikorë, ku ai preferonte muzikën klasike. Pra në shpirtin e tij bashkëjetonin talenti për matematikën, me pasionin për muzikën. Xhorxhi, kështu e thërrisja unë, për ta shuar kureshtjen time më spjegonte, duke treguar me gisht, një foto pikture të Ainshtainit nga ndonjë revistë, të vendosur mbi komodinë. Ai gjeni ka thënë: “Imagjinata dhe intuita është më e rëndësishme se dija”…, por Ainshtajni ishte gjithashtu pianist dhe violinist, pasi e shihte shkencën dhe artin thellësisht të lidhura me njëra tjetrën, si dy anë të të njëjtës pasuri shpirtërore, që e dëshmonte me pyetjen e tij retorike “Çfarë tjetër (veç violinës) i duhet njeriut për të qënë i lumtur”…Mbrëmjen e krishtlindjeve të vitit 1967, ne e kremtuam, pa trumbeta.
Ftuam Gjergjin për darkë, pasi ai më pas, në pragun e vitit të ri, do të shkonte në Shkodër, për ta festuar me nënën dhe motrën. Darka kaloi në një atmosferë të këndshme. Im atë pasi foli për jetën dhe peripecitë e tij, tregoi për vitet në Normalen e Elbasanit, nivelin e lartë të edukimit, e mësimin e violinës, por u përqëndrua tek J.Herbart,filozofin gjerman dhe ndikimin e tij mbi doktrinën pedagogjike moderne, në të cilën bazohej ajo shkollë.
Bile përmendi manualin “Normalisti” që botohej atje, kopertina e të cilit kishte emblemë referimin e ketij filozofi “Jo në dijen, por në vullnetin e fortë qëndron vlera e njeriut”. Mandej Gjergji ftilloi lëmshin e jetës së tij. “Zoti Fane i tha babait, unë jam i biri I Spiridhon Kacarosit, thuhet me origjinë nga Korfuzi, nga familje e kamur, mik i “Mikelanxhos shqiptar”, K.Idromenos, por një intelektual patriot, me poste të rëndësishme, i keqkuptuar dhe ipersekutuar nga rregjimi, me burg dhe së fundi internim në Kuç.
Baba na la, disa muaj para se të vija këtu. Ishte kjo arsyeja që mua nuk më hapnin derën për tu strehuar”…
Fjalët e fundit i artikuloi me një zë të dridhur, që nuk tradhëtonte barrën e kujtesës. Ndërkaq kërkoi violinën e motrës dhe bëri një “spiccato” virtuoze, në performancë me teknikë të lartë të “Moonlight sonata”. Bethoven pa partiturë…?, Urime i tha motra ime dhe ne duartrokitëm. Muzika tek ai nuk ishte demonstrim, por mënyrë të menduari. “Bethoveni me stilin heroik dhe emocional të fluturon në ëndërrime”, shtoi Gjergji. “Por kam një dëshirë, unë flas italisht, frëngjisht, rusisht dhe luaj muzikë, veç violinës dhe saksofon. Po të mundeni më ndihmoni, me influencën tuaj të futem në orkestrinën e estradës, dhe pa reduktim të ngarkesës time pedagogjike. Kjo jo thjesht për ambicie artistike por për nevojat financiare, pasi mama Silë, nuk ka pension dhe motra Maria Luiza është studente, kështu që më bie mua barra familjare”…
Mandej bëri një pauzë të vogël, psherëtiu dhe vazhdoi, “Thonë që këtë e ka në dorë drejtori i teatrit dhe drejtuesi i orkestrës Mishel Lako. Hë, se për pak harrova, jam këtu kaq muaj dhe nuk më keni thënë asgjë për qiranë”. Babai ndezi cigaren “Diamanti”, e tymosi disa herë dhe i prekur ndërhyri: “Gjergj, unë këto përgjithësisht i di, dhe jam krenar që të kemi mes nesh, do të bisedoj me Mishelin dhe me drejtorin, mos ki merak. Sa për qiranë, ti duhet të dish se je pjesëtar i familjes tonë, kështu që nuk ke asnjë detyrim financiar”.
Gjergji duke mos i përmbajtur emocionet u shpreh, “Ju faleminderit, nuk di si tjau shpërblej dhe a do mund tjau shpërblej”…
Mbas kësaj mbrëmje, ai hodhi në një skicë me talentin e tij, duetin e pasioneve, një saks mes formulash matematikore dhe një zemër blu deti, në qoshe dekoracion. Atë e vendosi pranë një fotoje të saksofonistit të dëgjuar italian, Fausto Papetti sa melodik po aq sentimental dhe në krah të tij, foton e të famshmit saksofonist amerikan, John Coltrane, analistit e shpërthyes emocionesh (të prera nga një revistë italiane)….Shpejt ëndrra e tij u bë realitet. Një mbrëmje na solli biletat e premierës të estradës “Maska dhe Fytyra”, (sa simbolike) ku do të performonte në orkestër. Shkuam familjarisht për të asistuar në shfaqje.
Maestro M.Lako e prezantoi duke e ngritur në këmbë, me xhaketën e bardhë dhe papijonin ngjyrë vishnje, në një solo tenor saksofon, me frazim të gjallë e ton shprehës. Ne ishim tepër të emocionuar, ai na përshëndeti me dorë, mes një gëzimi të përmbajtur…
Kështu shtëpia jonë u kthye në një hapsirë dialogu kulturor, nga njëra ana motra ime me violinë, nga ana tjetër Xhorxhi me saks, na mungonte akordeoni, për një trio bandë. Vizitat e mia në dhomën e tij u shpeshtuan, ndjeja kënaqësi kur më udhëtonte në të fshehtat e muzikës dhe e ndërthurte me matematikën, në një marrëdhënie harmonike, simbiotike.
Matematika, thoshte ai, mban një lidhje komplekse me muzikën,me tempon, modelet, ekuacionet që krijojnë ritmin dhe harmoninë.
Xhorxhi ishte kombinim i“brained math” me “soundmusic spirit”. Mandej ai merte saksofonin e tij tenor, me shkëlqim të artë dhe luante me pasion. Gjatë pauzës komentonte John Coltranen, që e kishte idhull. “Ky gjigant, për të ilustruar brendinë e muzikës ju drejtua matematikës, me ese të tëra analitike mbi “gjeometrinë muzikore”. Muzika është një sekuencë tonesh dhe matematika një sekuencë formulash. Diku kam lexuar se Ainshtajni dhe Coltrane kishin shumë elemente të përbashkëta.
Unë me zellin tim gjeta nga revistat, fotot e Fausto Papettit dhe John Coltrane, por aty mungon foto e saksofonistit rusit Aleksey Kozlov, pionerit të Jazz Rock në Rusi. Mandej skica e Ainshtainit fsheh një surprizë”…ai e ktheu skicën nga mbrapa dhe bëri kryqin, ishte ikona e Santa Marias. “Të na fali Ainshtajni me konceptin e “fesë kozmike”, nënvizoi me satirë humoristike…
Saksi i Xhorxhit me azhurnonte estetikisht dhe emocionalisht në muzikën klasike, mes “Boleros” të M.Ravelit, “Rapsodise” të Debussy apo “L’Arlésienne të G.Bizes, ku meloditë e saksit ishin në aksent. Ai i interpretonte, pa partiturë dhe unë kurrë nuk mund ti harrojë ato etyde….Tani po e kuptoja sesi bashkëjetonin në shpirtin e Xhorxhit, dueti i pasioneve, shpirti delikat muzikor dhe intuita e fortë e matematikantit. Ai më prezantoi me të fshehtat e muzikës, asaj “matematike të sentimentit”, ku mes tingujve të saksit emetohej një gamë e tërë emocionesh. Ndërkaq munda të shijoj plotësisht qysh nga melankolia e Blues, në ritmin joshës të Jazzit, deri në dinamikën e Rock and Rroll-it, në një kohë kur ato përbënin risk…
Shpesh e gjeja mbi një libër voluminoz në rusisht, me kopertinë vishnje mbi “Mjeshtrat e muzikës”, (ku kishte koleksionuar dhe mjaft pulla poste, me portrete muzikantësh). Saktësisht titulli nuk më kujtohet, por mbaj mend autorin, Boris V. Asafyev.
…Një ditë të bukur, kur ekuinoksi pranveror kishte frymëzuar, penelin natyror të asaj hijeshie, duke dëgjuar në radio “Hit Parade” italian, veshi më kapi saksin e F.Papettit në performancë, menjëherë renda për tek dhoma e Xhorxhit. Ai po lexonte në divan një libër.
Çfarë lexon kaq i përqëndruar, e pyeta. “Lexoj “ Veleno Mortale”, intrigë dhe dashuri, nga “Libri Gialli” të bibliotekës tuaj”, mu përgjigj ai qetësisht. Erdha të të bëj një surprizë, i thashë me një frymë, vure radion tek stacioni italian. Ai e vendosi dhe menjëherë brofi entusiazt. “Oh, I madhi Papetti, më kënaqe”. Kur po largohesha Gjergji më ndaloi: “Merre atë borsetën mbas derës, ka portokalle dhe limona për ju, mi solli mbrëmë një shofer”.
Mandej ju kthye saksofonit, duke përdorur me maestri versionet e aranzhuara, të Simfonisë nr.9 të Beethovenit, kur sytë e kaltërt gati në ëndërrim, takonin shpirtin dhe bashkëjetonin me pasionin.
Në mëngjezin e një dite plot dritë pranverore, im atë kishte mbledhur disa ristela druri dhe kompesato, për të krijuar një kafaz të vogël, të cilin do ta vendoste tek nerënxa. Ai ishte vendi I preferuar i dallandysheve dhe trumcakëve. Gjergji u ul pranë tij duke i thënë me admirim: Profesor, shikoj që ju zë dora, siguresat elektrike dhe hekurin e hekurosjes i rregulluat, tani po bëni dhe marangozin. Ah, mor Gjergj, mirë është që njeriu ti bëjë dhe këto, pasi nuk i dihet jetës. Gjergji e aprovoi me kokë, i menduar.
…Vera, me një grup shokësh e shoqesh, na gjeti mes aromës së valëve, shkuam në plazhin e Ri, për ta shuar të nxehtit mefreskinë e detit. Nga pista vinin tingujtë e një muzike ritmike orkestrale, gjë që intrigoi mua dhe Violën, shoqen time, për në atë drejtim. Në qendër të pistës, tek podiumi, në formën e petaleve të zambakut, interpretonte orkestrina, me Dolën në fizarmonikë, Gjergjin në saksofon dhe Skënder Buten në kontrabas, ndërkaq disa të rinj ekskursionistë nga ndërmarrja “Migjeni” vallëzonin.
Ishte një intermexo interesante, ku ai spektakël shtonte diçka që asaj jete i mungonte. Dhe ne qiellin mund ta preknim, vetëm me sy dhe me zemër. U ulëm në qoshen e një tavoline, duke shijuar muzikën dhe spektaklin, nën hijen e një palme të përzhitur, ku pranë trupit të saj, akoma mbijetonin disa lule pansé. Pas pak vjen kamarieri, e na sjell nga një arançatë të ftohtë dhe nga një kasatë. Unë mbeta i befasuar, duke ngritur supet. I keni nga profesor Gjergji, na tha. Mesa duket nuk i kishim shpëtuar syrit të tij dhe pas syzeve të diellit. Në pushimin e vogël të orkestrës, Xhorxhi u ndodh pranë nesh. Unë e prezantova me Vjolën, brunen simpatike, që e bënte më tërheqëse një shalli i bukur me motive, në ngjyrë të kaltërt në smeraldë, që kishte mbi shpatulla, mbasi e kishte përkëdhelur dielli. Xhorxhi nuk e la rastin pa demonstruar kulturën e tij, “Vlerat e “Fumagalit” flasin nga larg, veçanërisht në këtë dekor, përfundoi ai komplimentin”, duke prekur me finesë shallin. Eshtë dhuratë e mamasë, souvenir nga Italia, tha ajo. Por baban, ku e latë, shtoi ai me humor. Atje në “kafaz”, ku e kanë mbyllur dhe unë nuk mund ta shoh, shqiptoi ajo me dhimbje. “Paskemi të njëjtën destinë, një kurth i përsosur, spjegoi ai, duke ja ledhatuar flokët dhe vazhdoi, “më kujtoni diçka të bukur”. Mua më bënte çudi fakti, se si në jetën tonë bashkëjetonin gëzimi dhe dhimbja, ato tashmë ishin kthyer në mentalitet, veç pasioni dhe dëshirat me zinxhir nuk lidheshin…
Vjeshta si zakonisht vinte me ekspozitën e pikturës dhe Gjergji që tashmë po dilte nga formati i kohës, por jo nga ai intelektual, nuk mungonte nga ato evente. Atje bashkoheshin gjithë njerëzit e etur për kulturë. Aty takuam Nestorin, poliglotin enigmatik, Xhevairin, xhevair në varg e në mendim, Dr.Isufin, që mjekësinë e kishte kthyer në art, ped.T.Frashërin, njeriun enciklopedi, Lamen,farmacistin me shpirt poetik, që servirte vetëm “farmaka” të ëmbla, Mexhitin që bënte gol dhe në kulturë, por dhe shumë të tjerë. Aty ishte dhe im atë, me mikun e tij “gemell“, pedagogun Qani Cakranin, i cili ju afrua Gjergjit dhe i tha, duke e përgëzuar: “Faktikisht mjaft matematikanë janë dhe muzikantë, me ose pa koshiencë”, ndërsa babai shtoi “matematika është art në perfeksion”. Aty ndërhyn në bisedë dhe të mirënjohurit, Piro Sava, Mishel Lako, e Liza Laska. Kështu udhëtuam mes ngjyrave të asaj “akademie pa dekan”, por mes yjesh.
…Dimri erdhi si tinzar enigmatik, pa pritur dikush Gjergjit i tha, se në drejtorinë e teatrit, kishin dërguar letra anonime kundër tij, si “familje e deklasuar”. Koha mesa dukej nuk qëndronte neutrale.
Erdhi në shtëpi i mërzitur, ishte i zbehtë në fytyrë dhe dukej se nuk e mbanin këmbët. Gradualisht tek ai u krijua një zbrazësi midis energjisë krijuese dhe presionit të jashtëm. As gjellën e drekës, që i kishte vënë mamaja mbi tavolinë, nuk e kishte prekur.
Im atë e kuptoi, shkoi në dhomën e tij dhe bisedoi me të, për ta qetësuar. Ai mbarte një shpirt të trazuar, mes idesh, pasionesh dhe energjish.Unë dëgjova tek dera e tij, vetëm shprehjen me mllef: “Sa duhet akoma të hesht kur zemra ime flet”…, më vonë mësova se kishte cituar Dostojevskin…duke përjetuar zhgënjimin.
Mesa më kujtohet, im atë i ofroi për të lexuar librin e psikologut italian V.Benussi, mbi “Reflektimet e subkoshiencës”. Xhorxhi e pa dhe nën buzëqeshje tha “Kena dhe ne Benusi, një sagë fisnikësh, në Shkodër”. Ai e mbante atë libër tek koka e krevatit, endej shpesh në të, si konsulent në “ekuilibrin” e emocioneve, çka influencoi në ndryshimin e psikologjisë së tij!
Muzika mbeti e vetmja hapsirë ku ai ndjehej plotesisht i lirë. Në mbrëmje erdhi Vjola, me një keik dhe një shishe vere Kabernet, pasi kishte ditëlindjen dhe dëshironte ta festonim bashkë. Trokitëm derën por profesori nuk na dëgjoi, ai ishte i përqëndruar mbi disa copra letrash të bardha, ku diçka shkruante.
Kur ju afruam na ndjeu, “më falni, më kishte pushtuar sindroma e gjeniut universal Da Vinçit, ai vendoste pranë shtratit të tij, letra të bardha dhe një penë dhe sapo i vinte ndonjë mendim, mes idesh dhevizioneve të reja interesante, shpesh profetike, në çast i shkruante për të mos i humbur”… Mandej i mblodhi shpejt copëzat e letrës dhe i zhyti në sirtarin e komodinës, duke e mbyllur komentin me një të qeshur alegorik.
Mesa dukej jeta e kishte bërë supersticioz dhe enigmatik. Vjola i deklaroi shkakun e vizitës së papritur, duke i kërkuar preferencën e saj, “Flautin magjik” të Moxartit, atë vepër midis magjisë së një përralle dhe romantizmit dhe Xhorxhi e performoi me dhimbje, mandej shpërtheu emocionet në një muzikë jazz, me sy të përlotur.
Ai e mbështolli tonin muzikor me mantelin tingëllor shpirtëror, ndërkaq nxorri nga sirtari një çokollatë dhe ja dha. “Ke shije të shtrenjta dhe të ndaluara. Duhet të keni kujdes se muri ka vesh”…, shqiptoi me gjysëmzëri Xhorxhi. Kur i mungon ndonjëtullë,…vetëm statujat mbeten përjetë gjakftohta dhe të heshtura, shtoi Vjola instiktivisht dhe me humor njëherësh, duke spikatur me intelektin.
…Veçse ai tashmë ishte tjetër njeri, me një zë emocionalisht të zbrazët, me shikimin e ftohtë, diçka brenda tij dalëngadalë po shuhej. Ajo që e mbante të lidhur me kohën, ishte vetëm karakteri I tij. I dënuar në një jetë, që ishte me tepër se burg, ku provokimet ndiqnin njera tjetrën. A ishte ky fundi i një sfide, apo fillimi i fundit.
Fati “paranojak” e përplaste si oktapod, në shkëmbinjtë e sfidave, por ai udhëtonte nëpër tingujtë e muzikës, që të shkarkonte dhimbjen. Nuk mund ta duronte më prangosjen shpirtërore. Atë natë ai luajti një solo performancë të trishtë, i endur nëpër melodi, prej romantikes “Il mondo”, tek “Besame Mucho”, në “Mambo Potpuri“, ku saksofoni me pasazhet virtuoze barok, këndonte, qeshte dhe vajtonte, mes ritmeve latine dhe improvizimeve Jazz.
Dhe sot rrënqethem kur e kujtoj atë skenë, më ngjante me përpëlitjen e një shpirti të çakorduar, në një performancë të trishtë. Ai e mbështolli tonin muzikor me mantelin tingëllor shpirtëror, ndërkaq nxorri nga sirtari një çokollatë dhe ja dha. “Ke shije të shtrenjta dhe të ndaluara. Duhet të keni kujdes se muri ka vesh”…, shqiptoi me gjysëmzëri Xhorxhi.
Të nesërmen, qysh në mëngjez, e mori në krah saksin, shokun e tij të pandarë dhe e dorëzoi në teatër, në një “vizitë kortezie”, si nënshkrim i largimit, duke braktisur ëndrrat dhe iluzionet…
Pas pak kohe, e njoftuan nga Shkodra se nëna e tij ishte e sëmurë, nga një sëmundje e rëndë. Im atë e thirri në dhomë dhe e këshilloi ti bënte një letër ministrit të arsimit, ku ti kërkonte transferimin, për shkak të gjëndjes shëndetësore të nënës. Ai e dëgjonte me vëmendje, duke pohuar me kokë. Ndërkaq nxorri një foto të vogël nga portofoli dhe duke e treguar shqiptoi: “Baba i em bashkë me Ernest Koliqin, sa armike mund të jenë këto figura”!
…Kaluan muaj dhe përgjigje nuk kishte. Unë mbarova maturën dhe po pregatitesha për studimet e larta. Këtu fati na ndau rrugët me Vjolën, pasi ajo mbeti në “postbllok”.Një ditë duke dalë me biçikletën time, ai spikati shallin e saj të lidhur mbi të. Po Viola, pyeti?! Mesa duket, po ju humbas të dyve.
Shpirti i dashurisë melodion si një kitarë, në një moment muzika e saj mund të ndalet, por kordat mbeten si relikë, në një heshtje drithëruese rezonante, pëshpërita melankolik… Kur u ktheva nga Tirana, për pushimet e vitit të Ri, sapo u futa tek dera u gjenda në krahët e nënës dhe të babait, unë menjëherë shkova tek dhoma e Xhorxhit. Ajo ishte bosh, mbi komodinë kishin mbetur si sekuencë filmike, fotot e saksofonistëve, skica e Ainshtajnit të përmbysura dhe një vazo kristali me lule Jasemini, që kishin varur kokën. Një rreze dielli binte në bibliotekën bosh, mbi të një gazetë Drita, ku kishte mbetur e shkruar adresa: Gj.Kacarosi. Rr.J.Karamitri, Shkodër!
Aty ndjehesh psherëtimi i shpirtit, në lotin kristal, vibrimi i fjalës së mënçur, që takonte pathosin artistik të mbetur, si iluzion optik në efekt paralaks.Tashmë aty perceptoje hijet e balladës së dhimbshme të elitës së “padukshme”, ku akti estetik bashkëjetonte në ndërveprim, me atë etik. Meloditë e saksit, për atë krijesë “të pathyer”, nuk ishin vetëm pasion, por dhe rrugëdalje ndijesore, një brengë tragjike, që fillonin me bémol-in e ngrohtë, në diesis-in dinamikë, të mprehtë shpërthyes, ku shpirti i revoltës dhe dallgët e ndjenjave, në atë rezistencë “të heshtur”, konvertoheshin në art, në nota muzikore…
Nuk më ishte e lehtë ta portretizoja ose me saktë “ ta deshifroja”, psikosintezën e atij njeriu “bohem”, atij njeriu enigmë, aq interesant, por të “vetëmjaftuar” me fatin e tij dhe në meditim më erdhi ndërmend,sentenca metaforike e filozofit pre Sokratik, Heraklitit: “Të zgjuarit ndajnë një botë të përbashkët ndërsa të fjeturit mbeten veç”! Mamaja më erdhi nga pas, “Dje iku, tha, se i erdhi transferimi… Por unë e kuptoja se arsyeja reale e largimit të tij ishte lodhja, nga një betejë e pabarabartë dhe e pafund. Nuk mund të futem në dhomë, na mungon shumë “, vazhdoi, me një zë ngashërues, ajo.
…Kishin kaluar plot 17 vjet pa Xhorxhin, kur nëndori i vitit 1985, papritmas na ndau me babanë. Mëngjezin e një dite shiu, postjeritrokiti derën dhe na pruri një sërë telegramesh ngushëllimi. Midis tyre ishte dhe një telegram nga Shkodra, ai nuk ishte telegram, ajo ishte letër rrënqethëse. Xhorxhi kishte dëgjuar për humbjen e babait dhe na ngushëllonte me dhimbje e respekt, duke përfunduar shkruante: …“Ju kujtoj me mirënjohje, si pjesëtar i familjes tuj dhe nuk kam për tju harru kurrë. Jua nisha tanve zanin e mirë. Përqafime të përmallume. Gjergji ”!…
…Figura e tij me mbeti si tipologji vecantë, e “intelektualit të heshtur”, pa zhurmë, si njeri me virtyte, të disiplinës mendore dhe të pasionit artistik, i vendosur në një kohë që nuk i përkiste. Dueti i pasioneve për matematikën dhe muzikën, mbetën një solo e trishtuar, nostalgjike…
/Nga Dr. Eduard A. SKUFI, shkrimi u botua në Gazetën letraroartistike “ExLibris”, më dt. 14 Mars 2026, i sakrifikuar mbas një “kirurgjije” reduktive!/




