
Ed! Kaluan 5 vjet nga ikja jote në një botë tjetër. Mendoj se kanë kaluar shumë shpejt se akoma mendoj se realisht, nuk ke ik. Pres një telefonatë për kafe nga numri që vazhdon të jetë në celular apo edhe të takohemi rastësisht afër punës tende tek muzeu “VDK”, në pedonale apo diku tjetër.
Realisht, të përmendim shpesh, të paktën me disa shokë të përbashkët. Të kujtojmë dhe për mirë, kjo besoj është e rëndësishme për çdo njëri që kalon nga një realitet në tjetrin, siç ti na u largove papritur. Me gjasë, nga aty ku je, ti i shikon gjërat që ndodhin këtu poshtë, megjithatë, do të them dy fjalë për Matiasin, dritën e syve të tu dhe shqetësimin tënd më të madh teksa flisnim për të ardhmen.
Tashmë, është një djalosh shumë i mirë dhe i bukur. Ka hijen tënde por edhe vlerat që ti i demonstroje sa herë rrinim bashkë. Është vertetë krenari për ty dhe Mirelën tënde, natyrisht edhe të gjithë ata që e njohin. E kam takuar disa herë por nga larg, e ndjek në përditshmërinë e tij dhe mund të të pohoj se është një fëmijë shumë i mirë për çdo prind, e sidomos përfaqësues e vijues i denjë i emrit tënd.
Ed! Të them të drejtën, kjo përditshmëria jonë që ti e njeh shumë mirë, na lë pak hapësirë të kujtohemi. E sot, përvjetorin e pestë të largimit, ma kujtoi një shënim i Mirelës tënde në rrjetet sociale. Të kërkoj ndjesë për harresën por kjo është e vërteta.
“Malli ka emrin tënd, Ed. Sot, pas pesë vjetësh, mungesa jote ka formën e zemrës sime: zbrazëti që nuk mbushet, dashuri që pulson, gjithmonë!”, shkruan Mirela jote dhe nuk di nëse duhet të mbushem me dhimbjen e ikjes tënde apo të ndjehem krenar që për vitet tona të njohjes, më rreshtove ndër miqtë e tu.
Ed! Një ditë me siguri do të takohemi e deri atëherë, pa shumë dëshirë për mënyrën e largimit tënd, thjesht duhet të të them: Pushofsh në paqe mik! /Nga Blerti DELIJA/





