
Kërkimi shkencor ëndrra e çdo studiuesi. A ka dhe cilat janë mundësitë për kërkim shkencor në Shqipëri? Cili është roli që duhet të luajnë institucionet? A mundet vullneti politik të promovojë kërkimin shkencor?
Ku mbaron roli i vullnetit politik dhe ku duhet të fillojë ngjizja intelektule për kërkim shkencor? A ka kapacitete Shqipëria për kerkim shkencor apo më shumë se mungesë kapacitetesh ka mungesë kulture për kërkim shkencor? Si mund të fitohet kultura e kërkimit shkencor?
Edhe pse pa shumë fonde burimore a është i mundur kërkimi shkencor? Na mungojnë fondet apo na mungon vizioni për atë së çfarë dhe ku duam të arrijmë? Nga ana tjetër a mundet dhe si mundet kërkimi shkencor të prodhojë para e fonde të reja, të cilat do ta çojnë akoma më përpara kërkimin shkencor?
Nëse na mungon kultura, vullneti e vizioni për kërkim shkencor, a mund të ecë përpara shkenca në Shqipëri? A mundet tregu të diktojë kërkimin shkencor? A i duhet lënë fluktuancave të tregut pregresioni i kërkimit shkencor apo me pak katalizë nga vullneti i mirë politik e iniciativë institucionale, procesi mund të ecë më shpejt dhe në mënyre më efektive?
Një intervistë sa informuese, aq dhe inspiruese pavarësisht viteve që kanë kaluar !
Prof. Dr. Artan Boriçi thotë qe nuk kemi nevojë për shkencetarë të mëdhenj e për fonde të mëdha për të bërë shkencë në Shqipëri por kemi nevojë për të ngjizur së bashku iniciativën për kërkimim shkencor, punën në grup me kulturën e kërkimit shkencor, me vullnetin e mirë politik dhe me një investimin minimal fondesh.
Prof. Dr. Artan Boriçi nuk ka qenë thjesht optimist. Ai bazuar në eksperiencën dhe punën e tij akademike brenda e jashtë vendit, na ka shpjeguar në detaje mënyrat e zgjidhjet për të arritur në një kërkim shkencor të mirëfilltë e të organizuar. Ai thotë se ne nuk duhet të kënaqemi me një kërkim shkencor sporadik, të bazuar në nevoja individuale për karrierrë akademike. Prof.Dr. Artan Boriçi na frymëzon kërkimin shkencor që mbështetet në një vizion të qartë, që është utilitar dhe kontribues për shoqërinë, kombin e më gjërë dhe ç’është më e rëndësishme, ai nuk ngeli tek të thënat e tek përsiatjet në mendime por na e tregoi me vepra e me shembullin e tij personal duke na dhënë një model të gjallë e konkret se si mund të realizohet shumë suksesshëm kërkimi shkencor në Shqipëri kur nuk mungon vizioni e dëshira për të qenë kontribues e i dobishëm.
Zoti të dashtë e të pastë në kujdesin e Vet për atë që ishe e për atë që na le, i dashur e fisnik Prof. Dr. Artan Boriçi! /Nga Prof. Asoc. Dr. Teona BUSHATI/