Pas një loje gati dyjavore, burime të lapsi.al thanë se presidenti Ilir Meta e ka vënë firmën mbi dekretin që emëron Sandër Lleshin ministër të Brendshëm, por njoftimin zyrtar do ta japë në limitet e fundit kohore. Nuk është çudi që lajmi, i cili ka dominuar politikën në këto dy javë, të bëhet publikë nga vetë Presidenti, sot gjatë emisionit “Zonë e Lirë” në Tv Klan, ku ai do jetë përballë gazetarit Arian Çani.
Presidenti mesa duket ka krijuar bindjen e nevojshme, e cila i mungoi herën e parë, që këtë radhë ta bëjë ministrinë e Brendshme me “dhëndërr”. Shenjat e para të një kompromisi të mundshëm mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta, u dhanë që pas një takimi të tyre në presidencë rreth një javë më parë dhe nga vetëpërmbajtja që treguan socialistët në menaxhimin e kësaj krize, sipas porosisë së kryetarit të tyre. Vetë Rama, si gjatë fjalimit në Kuvend ashtu edhe ën daljet e tij publike, i zhgënjeu “skifterët” e tij mediatikë, që ndërkohë kishin nisur goditjet ndaj Ilir Metës, duke ruajtuar gjakftohëtsinë dhe duke lënë të kuptohej se e kishte gjetur gjuhën me Presidentin, të cilit ia ridërgoi propozimin e Lleshit për ministër.
Presidenti Meta zhvilloi ditët e fundit një seri diskutimesh mbi çështjen e satusit të Lleshit si ushtarak, për të gjetur kështu argumentat justifikues për dekretimin e Lleshit dhe sot bëri aktin formal të nxjerrjes së tij në lirim si Gjeneral- Brigade. Sigurisht, që arsyet e vërteta se si kryeministri i krijoi bindjen e plotë presidentit nuk janë bërë publike, por me gjasë nuk do të jetë e vështirë të merren vesh.
Dy vëllezërit armiq të së majtës, kanë në historinë e tyre politike shumë raste të ngjashme konfliktesh, por gjithnjë në fund ka triumfuar qetësia dhe dashuria. Veçanërisht kur kanë diçka për të ndarë, ajo mbetet më e madhe se çdo gjë që i ndan. /Burimi:Lapsi.al/