“I varur për 3 muaj”, rrëfimi tronditës i shkodranit 19- vjeçar Ahmet Bushati: Nuk kishte më vend për të më vënë litarët

Një nga rrëfimet më rrëqethëse për ditët e kaluara në hetuesi. Ahmet Bushati qëndroi i varur gjatë tre muajve me urdhër të hetuesit. Një egërsi dhe urrejtje e pashoqe ndaj një të riu 19 vjeç, faji i vetëm i të cilit ishte pjesëmarrja në një lëvizje studentore antikomuniste

Ahmeti nuk ishte as 19 vjeç kur e arrestuan. I ishte bashkuar lëvizjes antikomuniste të studentëve shkodranë “Përpjekja shqiptare” dhe për këtë arsye u dënua me 7 vjet burg, por para se t’i jepnin dënimin e ta dërgonin nëpër kampe pune, e torturuan gjatë në hetuesi. Donin t’i shkëpusnin ndonjë fjalë që bashkë me të tijin të rëndonte edhe dënimin e anëtarëve të tjerë të lëvizjes. Kësaj nuk ia arritën, por askush nuk mund të thoshte që nuk u përpoqën me të gjitha mjetet. Të paktën nuk do e thoshin këtë eprorët e hetuesit Ali Xhuga, të cilëve iu trembej Aliu, frikë që, përzierë me dëshirën për karrierë, do ta bënte këtë njeri të zbatonte lloj-lloj torturash ndaj të arrestuarve.


Pasi e kërcënoi me fjalë në zyrën e tij, dy ditët e para, të tretën thirri një oficer me aparatin e rrymës elektrike, i cili ia rrotulloi në vesh fijet e korentit, ndërsa Ali Xhunga me gjeneratorin në dorë bëri që i riu të përplasej në dysheme disa herë. Ahmet Bushati e kishte provuar edhe më parë këtë lloj torture e duke qenë që sërish dështoi të jepte rezultatet e pritura nga hetuesi, ky u nxit edhe më shumë.

“Në mbasdrekën e kësaj dite, m’u futën si me ngut në birucë Ali Xhunga, Ismail Lulo e mbas tyne edhe shurdha, që mbante ndër duer nji litar e stol. Kur Ismail Lulo tërhoqi litarin prej duerve të shurdhës, unë mendova se do të fillojshnin me më ra me të. Nuk dijsha që varja të ekzistonte si torturë”, shkruan Ahmet Bushati.

“I varun në litar e me krye të përkulun anash, vazhdimisht me gojë hapët që të mund të merrsha frymë e të shkumbëzueme në atë pikë vape, me dhimbje të forta ndër pulse ku randonte gjithë trupi i varun e që nga mosqarkullimi i gjakut ndër ta, ishin ajtë e kishin fillue t’i çajshin nga zinxhirët që po i pritshin si brisk, me sy të mbyllun vazhdimisht prej lodhjes së madhe e pagjumësisë së gjatë, do të ishte pak a shumë gjendja e pamja ime e përgjithshme ndër ato ditë…Do të më dukej sikur mbrenda mejet të ishte futë një vetë e dytë që më jepte zemër tue më folë: “Sa më shumë që po të shtohen vuejtjet e sa më shumë kohë që po kalon, aq ma shumë po i afrohesh asaj vdekjeje, ku ti pret me pushue”. Ishte vetëm 19 vjeç, kur trupi i tij provonte këto tortura dhe mendja prodhonte këto mendime.

E zgjidhnin vetëm për t’i dhënë një copë bukë, me ndonjë kokërr domateje e me dy-tri kokrra fiqsh, që mezi i kalonte poshtë, ose as nuk mundej t’i prekte me dorë.

“Kur më zgjidhnin, pra, në vakt dreke, problem kisha uljen, sepse kambët e mia të ajtuna shumë, deri sipër kofshëve ishin gri e ba si dy trupa të trashë druni, që ma nuk u thyejshin ndër gjuj. Kështu që unë, për t’u ulë, do të shkojsha tue u fërkue ngadalë-ngadalë për mur, deri në një pikë kur, pa mujtë ma me vazhdue zbritjen, do të rrëzoheshe vetë mbi çimento me kambë të shtrime para. S’m’u hante aspak, por për ujë kisha etje të madhe e ma shumë se për gjithçka, tue përjashtue dhimbjet, kisha nevojë për gjumë…Mbas tri-katër ditësh të para që isha varë, i mbaruem për gjumë siç isha e si gjithnjë tue shikue vazhdimisht poshtë, me vete do të thosha sa e sa herë: “Mos vdeksha pa fjetë edhe një herë mbi këtë çimento”, që aq shumë e lakmojsha me sy.

Së pari, mue do të varshin për duersh, por kur, me kalimine e ditëve, zinxhirët të më futeshin mbrenda ndër pulse e të shprishnin misht e tyne, varjen do të ma kalojshnin ndër shpatulla, e kur, mbas disa ditësh të tjera edhe ato do të çaheshin si me brisk prej litarit e të ishin kthye krejt në plagë, varjes përsëri do t’i ndërrojshin vend, por jo tue e kapë ndër pulse që ende vazhdojshin të ishin mish i gjallë, ose sipas rastit edhe të përthame me gjak e qelb përbrenda, por ndër krahë e për t’u kthye simbas radhës, përsëri nga e para edhe pse mandej e mbrapa do të ishin vazhdimisht në gjendje plagësh…”Kjo torturë vazhdoi për tre muaj nën urdhrat e Ali Xhungës.

I ballafaquar për herë të parë me birucat dhe hetuesit e diktaturës, Ahmeti nuk mund ta dinte që varja ekzistonte si torturë në mes të shekullit të 20-të, në vendin tonë, por në të vërtetë ajo ishte një nga torturat e zakonshme të regjimit komunist në Shqipëri. Përdorej për t’i detyruar të arrestuarit të pranonin ato që kërkonin hetuesit ose si mjet ndëshkimi dhe terrori në kampe e burgje, mes të dënuarve. Të arrestuarit i varnin në hekurat e dritares së birucës, ose në degët e pemëve të oborrove të shtëpive të kthyera në hetuesi. Në kampe i varnin në shtylla të lidhur me tela, në sy të të gjithëve. I linin jashtë në të ftohtë ose në të nxehtë. Disa zbritën pa jetë nga ato shtylla. Të tjerë, si Ahmet Bushati arritën të rezistonin gjallë deri në fund të eksperimentit dhe kënaqësisë së persekutorve të tyre. Për të treguar atë përvojë që duket sikur del nga terri i shekujve. Atë torturë që bashkë me shumë krime të tjera të diktaturës, është në të vërtetë shumë afër në kohë, por rri e mbuluar me heshtje dhe terr.

Përshkrimi i Ahmet Bushatit është shkëputur nga përmbledhja “Antologjia e plagëve nën terrorin komunist”, botim i QSHRT.