Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ishte i ftuari i emisionit ‘special’ në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Një nga ish-njerëzit më të afërt të Lulzim Bashës disa vite më parë, Arben Ristani ka folur për shumë çështje që lidhen me situatën e krizës politike në vend, por kryesisht me Partinë Demokratike. Ristani u shpreh se aksioni opozitar, me djegien e mandateve, bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe protestat e dhunshme, dështoi. Ndaj, sipas tij, tashmë është koha për reflektim, dhe Lulzim Basha duhet të pranojë zgjedhjet, si e vetmja rrugë për të mundur Edi Ramën.
Sipas ish-deputetit demokrat, Lulzim Basha duhet të fokusohet te PD dhe të mendojë për hapjen e saj, si Berisha në 2005, që solli më pas fitoren e të djathtëve. Arben Ristani gjithashtu ka folur dhe për çështje të tjera, si 13 tetori, datë për të cilën Rsitani u shpreh se po shkon drej zhvleftësimit, për shkak të marrjes së mandateve nga të zgjedhurit e rinj në 30 qershor. Megjithatë, Ristani shtroi propozimin që PD duhet të ulet në dialog, dhe të diskutojë për një datë të re zgjedhjesh me Edi Ramën, në mënyrë që votat e djathta të përfaqësohen në pushtetin lokal.