Ekstradohet nga Gjermania Genc Tafili, i shpallur në kërkim dhe arrestuar për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës, Arben Zylyftari. Mësohet se Tafili është ekstraduar në vendin tonë dhe është dërguar në burgun e Fierit.
Tafili ishte arrestuar në Aeroportin e Frankfurtit, ku pas kontrollit ka rezultuar me kartelë të kuqe, pasi ndaj tij kishte një urdhër-ndalimi ndërkombëtar për vrasje.
Autoritetet gjermane kanë njoftuar menjëherë autoritetet në Tiranë, të cilët nisën më pas procedurat për ekstradimin e Tafilit drejt Shqipërisë. Tafili u kap teksa po bënte tranzitin në Frankfurt, pasi ka qenë duke udhëtuar për në Turqi.
Ndërkohë, avokati i Genc Tafilit, Sokol Koçiu ka folur pas vendimit të autoriteteve gjermane për të ekstraduar klientin e tij drejt Shqipërisë.
Ai ka deklaruar se Tafili ka pranuar ekstradimin ndërsa ka shkuar se brenda pak ditësh do të dorëzojnë kërkesën për lirim me kusht sipas ligjit.
“Ka pranuar ekstradimin, për pak ditë dorëzojmë kërkesën për lirim me kusht sipas ligjit”, ka deklaruar ai.
Tafili u ekstradua nga Gjermania ku u arrestua në muajin Janar i shpallur në kërkim për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës Arben Zylyftari.
Vrasja e kryepolicit Zylyftari ka ndodhur në gusht të vitit 2000, pas një shkëmbimi zjarri me dy vëllezërit Admir e Genc Tafili, ndërsa mësohet se Genci është arrestuar më 4 janar në Gjermani.
Kryepolici i Shkodrës, Arben Zylyftari, u vra në krye të detyrës me një breshëri plumbash automatiku gjatë drejtimit të një operacioni kundër dy personave të kërkuar.
Tafili ishte dënuar me 25 vite për vrasjen e Zylyftarit, por u lirua me kusht nga ish-gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha, e cila u dënua më pas nga GJKKO për korrupsion.
Apeli e prishi vendimin e Gjykatës së Krujës dhe Tafili u arrestua jashtë vendit, në Gjermani. Ai është vëllai i Admir Tafilit i dënuar me burg përjetë.