“I bëri të dy dozat e vaksinës, ishte i fiksuar pas shëndetit”, bashkëshortja e Ylli Mihalit tregon si u njoh me fizioterapistin dhe shuan dyshimet

Mëngjesin e 13 shtatorit, virusi i rrezikshëm COVID-19 i mori jetën fizioterapistit të Kombëtares Shqiptare, Ylli Mihali. 55-vjeçari nuk arriti të fitojë betejën me koronavirusin edhe pse kishte bërë të dyja dozat e vaksinës Sinovac.

Bashkëshortja e tij, Nerida Guri, gjatë një interviste zbuloi se i ndjeri kujdesej shumë për shëndetin e tij dhe nuk ka pasur asnjë sëmundje tjetër, madje mezi kishte pritur për të bërë vaksinën.

Ajo u shpreh se ndarja e papritur e tij nga jeta ishte një dramë e madhe për të, ndërsa shpjegoi sesi u përkeqësua gjendja e 55-vjeçarit pas infektimit me COVID-19.

“Është një dramë për ne. Ylli infektohej për herë të parë. Ai s’kishte asnjë sëmundje tjetër përveç Covid, s’merrte mjekim tjetër. Kishte kujdes të shtuar, pasi ishte fizioterapist, që besonte tek mjekët, ishte i kujdesshëm, bënte kontrollet periodike për shëndetin. Ai i bëri të dyja dozat e vaksinës. E kishte prioritet të vaksinohej, bëri Sinovac pasi ishte ndër të parat që erdhi.

Bëri dozën e parë më 19 prill dhe të dytën më 19 maj. Rezultoi që nuk e mbrojti. Kishte një gjendje të qëndrueshme që të jepte premisa për përmirësim deri tek dita e 10-të, filloi pak fizioterapi. Por krejt papritur pati një përkeqësim të analizave, aty u bë një mjekim tjetër që pritej të jepte rezultat mbas 48 orësh por ky rezultat nuk erdhi dhe ai u përkeqësua, shkoi drejt intubimit. Ndejti 6 ditë në intubim, kishim shpresa por nuk ia doli.

Ai kishte një klinikë fizioterapie dhe mendohet se është infektuar nga një ish-futbollist që ka qenë aty, disa ditë përpara se të fillonte simptomat. Mjekët nuk ka dhanë ndonjë shpjegim në lidhje me vaksinën.

Pasi bëri vaksinën, ishte pak i shkujdesur. Nëse do e dinte që vaksina s’do jepte efekt do ruhej po njësoj”, tregoi ajo në “ABC-ja e mëngjesit”.

Nerida Guri rrëfeu edhe si u njohën bashkë, duke “falënderuar Zotin që i dha mundësinë ta njihte dhe të jetonte me të”.

“Falënderoj Zotin që më dha mundësinë për ta njohur dhe për të jetuar me të. Kishim lidhje shumë intensive. Kisha dëmtim në gju dhe më dhe mua më rekomanduan Yllin, kështu nëpërmjet punës, fizioterapisë. Isha paciente, shkova për gjurin. S’kemi fëmijë së bashku. Ishte si magji, jam e lumtur që për disa vite arrita ti jap këtë lumturi. më vjen mirë për ketë gjë. Ishim shumë shokë me njëri-tjetrin. Kur ktheheshim nga puna e kalonim kohën bashkë. Ecnim shumë të dy”, – u shpreh ajo.

Open

Close