Humbja me Vllazninë i lëkund karriken “Ramës së vogël”, është shkarkuar apo pritet të ikë Olsi Rama?!

Humbja e fundit ndaj Vllaznisë në Shkodër me rezultatin 1-0 mund të lërë pasoja të mëdha në klubin e Partizanit. Disfata nuk ishte vetëm ajo e fushës së lojës, por ishte e gjithë sezonit. Kampionët ngrejnë flamurin e bardhë dhe nuk arrijnë të mbrojnë titullin kampion. Në fakt, e japin paksa me turp… Presidenti Gaz Demi është pak të thuash i zhgënjyer dhe emri i parë në listën e përgjegjësive është ai i Olsi Ramës.


Drejtori i Përgjithshëm i të kuqve ka patur besim absolut nga presidenti dhe fuqi të plotë vendimarrjeje. Situatat u rrokullisën shpejt për zyrtarin e “Demave”, pasi petku i kampionit peshoi rëndë dhe nuk mundi ta mbajë.

Telesport mëson nga burime pranë klubit të kuq se humbja ka sjellë dhe përplasje mes drejtuesve. Olsi Rama momentalisht është në fije të perit, për mos thënë i shkarkuar. Për të vetmen arsye se presidenti Gaz Demi shpesh herë ka kthyer dhe vendimet e tij. Krisja këtë herë është e thellë, ndërsa nuk dihet nëse është e rikuperueshme!