Legjenda e futbollit shqiptar, Rudi Vata në përfundim të takimit mes Shqipërisë dhe Skocisë, është shprehur për mediat se Panuçi duhet të largohet nga drejtimi i Shqipërisë, pasi nuk ka çfarë jep më.
“Skuadra nuk ishte në nivelin e duhur. 4 gola në fushën tënde është e rëndë dhe imazh i keq për futbollin tonë. Mendoj se me këtë ndeshje, tifozët treguan indinjatën dhe Panuçi duhet të tregohet profesionist dhe të largohet. Ai nuk ka të ardhme te ky ekip.
Ndryshimi i gjeneratave nuk u bë në kohën e duhur. Duhej menduar në kohën e duhur për të gjetur zëvendësues. Që në minutën e parë, Mavraj u duk se nuk ishte në gjendjen më të mirë, ata tregojnë që janë shenja lodhje dhe që nuk premtojnë të ardhme. Ne jemi komb i vogël dhe nuk kemi futbollistë të mëdhenj.
Nuk është fundi i botës, Skocia ka 11 mungesa, por ka skuadra si Rejnxhërs e Sëlltik dhe ka shumë futbollistë për të bërë zgjedhje. Ata janë shumë të saktë dhe bëjnë punën kur hyjnë në fushë, duhet dhënë maksimumi dhe të jemi një grup i bashkuar, pasi skuadra nuk është e lumtur.
Gjuha e trupit tregon se nuk ka harmoni si në Europian. Është hap i madh mbrapa por duhet analizuar me qetësi kjo humbje. Gishti shkon te trajneri. kishim nj italian që bëri mirë dhe vjen një italian tjetër me pak eksperiencë dhe nuk jep frytin që ne prisnim, pasi donim rritje dhe morëm atë që nuk e mendoi askush dhe do të jetë e vështirë të ringrihemi. Është koha të kemi trajner shqiptar, pasi ka mjaftueshëm njerëz të zotë dhe kanë nevojë për mbështetje.”, ka thënë Vata. /Vipsport/