
Një lajm i trishtë për letërsinë shkodrane e atë shqiptare. Ka humbur betejën me Covid- 19 shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Skender Temali. Lajmin e dhimbshëm e ka dhënë në rrjtetet sociale, djali i tij, Ergysi, i cili shkruan:
“Me dhimbje të thellë, njoftojmë se ndërroi jetë pas betejës një mujore me Covid, babai ynë, Skënder Temali. Ceremonia mortore bëhet me datë 18.04.2021, në Varrezat publike të Shkodrës, në orën 10:00. Për shkak të situatës aktuale të pandemisë, ju mirëkuptojmë plotësisht pamundësinë e pjesëmarrjes.
Ceremonia për familjarët, miq, shokë e dashamirë do të organizohet në një moment të dytë më të përshtatshëm. Me respekt, familja Temali”.
ShkodraWeb Media i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmëve, miqve, kolegëve e të njohurve të Skender Temalit. Pushoftë në paqe.
Kush ishte Skender Temali
Skender Temali u lind në Shkodër më 30 korrik 1946, ku jeton. Këtu kreu Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Për 15 vjet punoi redaktor në shtypin e Radion e Shkodrës, revistën “10 Korriku” dhe për një çerek shekulli mësues i letërsisë dhe drejtues në shkollat e mesme.
Përfshihet në enciklopedi e përmbledhje të ndryshme letrare. Krijime të tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në vitin 2018 doli vëllimi i tij me tregime në gjuhën malazeze “Këtë dimër nuk ra dëborë”, botim i “Centar za očuvanje i razvoj kulture manjina Crne Gore”.
Si publicist e shkrimtar nderohet me çmime lokale e kombëtare. Në vitin 2001, me tregimin “Këpucët e turpit” në gjuhën italiane, merr çmimin special të jurisë në Konkursin e 7-të Ndërkombëtar të Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve “Cristalide” të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga shumë shtete të botës. Në vitin 2015 me poemën “Unë, Ballkani dhe Europa”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në manifestimin mbarëkombëtar “Drini poetik” i akordoi çmimin “Adem Demaçi”. Pen Klubi i Malit të Zi e ka nderuar me mirënjohen e tij.
Në vitet 2013-2017 themeloi dhe kryesoi Shoqatën e Shkrimtarëve të Shkodrës, duke përmbledhur e redaktuar tri antologji voluminoze “Pena e Shkodrës” me krijime të anëtarëve. Udhëhoqi mjaft promovime librash dhe qe bashkëpunues në veprimtari të përbashkëta me organizata homologe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni.
Që nga viti 1971 botoi 20 vëllime më vete në poezi e prozë. Ka të përfunduar në dorëshkrim romanin “Hotel Univers”, vëllimet me poezi “Vajza që nuk putha” dhe me tregime “Ngjarje në plazhin nudo”, përmbledhjen me novela “Studentja nga Shkodra” si dhe monodramën “Vijmë në këtë botë për t’u gënjyer”.
Botime të autorit:
Këngë cigane, – libër me vjersha dhe poema, viti 1971
Kjo ndodhi në Lis – roman, viti 1982
Ballo në mbrëmjen e maturës, – tregime e novela, viti 2001
Ishte një lajthishte – poemë për fëmijë, viti 2002
Gjuha shqipe – tekst me bashkëautore Mimoza Gjokutaj, viti 2002
Këpucët e turpit – tregime, viti 2002
Nesër do të them mirëmëngjes – novelë, viti 2003
Studentja e Bolonjës – novelë, viti 2004
Shtëpia pa pasqyra – tregime, viti 2006
“Askushi” – roman, botuar në gjuhën shqipe në Maqedoni, viti 2006
Tre shokët – vjersha e poema për fëmijë, viti 2007
Lirika të hershme dhe te vona – poezi, viti 2010
Kur vuaj, shkruaj – poezi, viti 2012
Curriculum Vitae – poezi, viti 2013
Stina e divorceve – novelë, viti 2014
Të pathënat, poezi, viti 2016
Metamorfoza e inxhinier Brunos – tregime të zgjedhura, viti 2016
Një det pa dallgë s’është det, – aforizma dhe sentenca, viti 2017
Këtë dimër nuk ra dëborë-tregime në gjuhën malazeze, Podgoricë, 2018.
Vajza që nuk putha – Poezi, 2019
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!