HISTORIKE – Themelohet Unioni i Gazetarëve Profesionistë Shqiptarë në Diasporë…

Nga Shenida BILALI

Më 6 qershor 2021, nëpërmjet rrjetit Zoom, u zhvillua mbledhja themeluese e Unionit të Gazetarëve Profesionistë Shqiptarë të Diasporës, e përbërë nga gazetarë me karrierë të suksesshme profesionale dhe aktivë në mediat shqiptare dhe perëndimore, krejtësisht të pavarur nga politika dhe biznesi.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë mbledhje theksuan domosdoshmërinë historike të krijimit të këtij institucioni të gazetarisë shqiptare profesioniste në Perëndim. Në rrethanat kur mediat në Shqipëri dhe në hapësirat e tjera shqiptare janë gjithnjë e më të kontrolluara dhe të sunduara nga oligarkët mediatikë e nga politika, është më e domosdoshme se kurrë që Diaspora Perëndimore të japë atë model të gazetarisë i cili i mungon realitetit mediatik në Atdhe, duke u vënë gjithnjë e më shumë në mbrojtje të së vërtetës, në mbrojtje të fjalës së lirë e të mendimit të lirë, në mbrojtje të demokracisë perëndimore kudo në hapësirën shqiptare dhe realitetin shqiptar.

Në mbledhje e morën fjalën Shenida Bilalli-gazetare, regjisore, redaktore, botuese, Kroaci, Alba Kepi-gazetare, Romë, Taulant Dedja- Botues i FlasShqip Kanada, Robert Papa-gazetar Fokus TV SHBA, Elida Buçpapaj-Botuese Zvicër, Jeta Dedja-Kryeredaktore e FlasShqip.ca Kanada, Rafaela Prifti-editore e anglishtes, Dielli SHBA, Ardian Murraj-gazetar SHBA, Artan Kutra-Radio France International, Arben Kallamata-gazetar, shkrimtar-Kanada, Skënder Buçpapaj-Botues Zvicër.

Gazetari Adriatik Dosti që është pjesë e këtij Unioni themelues për arsye thjesht teknike të lidhjes në Internet nuk u inkuadrua dot në këtë takim të parë online.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës zgjodhi organet drejtuese. Kryetare e Unionit u zgjodh Shenida Bilalli, nënkryetar Artan Kutra, sekretare Alba Kepi, ndërsa zëdhënëse u zgjodh Rafaela Prifti. Anëtarë të bordit: Shenida Bilalli, Elida Buçpapaj, Arben Kallamata, Jeta Dedja, Robert Papa. Bordi mbikqyrës: Taulant Dedja, Ardian Murraj, Adriatik Riza Dosti. Kryetari i nderit Skënder Buçpapaj.

ShkodraWeb Channel

Ky institucion është i hapur për anëtarësimin e gazetarëve të tjerë shqiptarë profesionistë në Diasporë dhe për bashkëpunim me personalitetet shqiptare të të gjitha fushave që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në të gjitha kontinentet. /voal.ch/

ShkodraWeb Channel

Open

Close