Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit- ONM ka bërë një kërkesë deri diku të paprecedent, duke hedhur hije dyshimi mbi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit- KPK lidhur me rikonfirmimin në detyrë të kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.
Siç po ndodh rëndom, edhe në rastin e Dedjes është kriteri “pasuri” që bën diferencën e rikonfirmimit ose jo në detyre. ONM është nisur nga mungesa e unanimitett në vendimmarrjen e KPK për këtë rast. Ndryshe nga antarët Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia, relatorja e çështjes Xhensila Pine doli në konkluzionin se Bashkim Dedja duhej të shkarkohej nga detyra me pretendimin se nuk provon me dokumentacion një pjesë të pasurisë.
Pavarësisht se nuk e thotë, ONM dyshon në vendimmarrjen e dy antarëve të KPK-së në këtë rast, duke i dhonë deri diku të drejtë antarit të vetëm në minorancë që ishte edhe relatore e çeshtjes. ONM natyrisht ka informacion shumë më tepër se edhe KPK, siç u konstatua edhe në rastin e gjykatësit të lartë Thanza. Por ONM mjaftohet thjesht me një rekomandim tek Komisioneri Publik duke i rekomanduar që ai ta ankimojë në Kolegjin e Pavarur të Apelimit- KPA vendimin e marrë nga KPK.
Në këtë pikë, ka vetëm dy mundësi që ONM dyshon në vendimmarrjen e drejtë të KPK-së: Paaftësi në vlerësimin e informacionit ose ndikim/ influencim/ intimidim/ korruptim të dy antatëve të KPK-së që kthyen në detyrë Dedjen. Nëse do të kishim të bëjmë vetëm me paaftësi, do të ishte e keqja më e vogël. Por nëse do të ishte një nga aryet e tjera të përmendura më sipër, do të rrëzohej e gjithë piramida e suksesit të vetting- ut.
Nuk është e qartë se çfarë vendimi do të marrë Komisioneri Publik, por sipas gjasave do të ankimojë në KPA vendimin për Bashkim Dedjen. Vetë fakti që ONM ndërhyn publikisht, është mjaft i rëndë dhe hedh hije dyshimi deri në korruptim të KPK-së, më saktë dy antarëve të saj. Aq më shumë kur bëhet fjalë për kreun e gjykatës që duhet të jetë “roje” e Kushtetutës dhe zbatimit të ligjeve në këtë vend. Aq më e rëndë do të ishte nëse do të kishte ndikuar në këtë vendimmarrje për shembull…politika.
Ajo që mund të konstatohet pas kësaj lëvizje të ONM-së është se edhe “varka” e vetting- ut ka nisut të fusë ujë. Shkaku mbetet për tu parë… /Shënim i ShkodraWeb/