LSI-së i ikin edhe tre këshilltarë nga bashkia e Kurbinit. Bashkëpunimi LSI-PD edhe pas skandaleve që kanë plasur me lobimin rus, duket se kanë krijuar situatë të papranueshme për këshilltarët e LSI të cilët po distancohen nga forca e tyre politike.
Pas largimeve të këshilltarëve të LSI në Fier, Vlorë, Gjirokastër, Belsh, Skrapar ditën e sotme në bashkinë e Kurbinit tre anëtarët e LSI kanë dalë në një deklaratë për publikun dhe mediat, ku sqarojnë qëndrimin e tyre. Ata kanë deklaruar se bashkëpunimi PD-LSI kundër Shqipërisë u tregua dhe me lobimin rus, ku LSI nuk u distancua. Më tej, ata theksojnë se PS është partia që po e çon vendin në BE dhe nga dita e sotme këshilltarët e larguar do t’i përkasin kësaj force politike.
Deklarata është firmosur nga këshilltarët Drane Halilaj, Zana Hoti dhe Vlash Piroli.
“Jemi sot për të deklaruar qëndrimin tonë, lidhur me mbështetjen e grupit të Partisë Socialiste si e vetmja force politike e cila i shërben ndërtimit të shtetit dhe qytarëve. Investimin tonë personal do e transferojmë te PS, ne duam forcimin e shtetit ligjor, vendosjen e ligjit dhe sistemin e drejtësisë, nuk ka tjetër alternativë për qytetarët e këtij vendi”, tha një prej këshilltarëve të larguar nga LSI.