Hapja e negociatave me BE- në, Voltana Ademi: Moment gëzimi dhe reflektimi për të gjithë shqiptarët kudo jetojnë

Sot Shqipëria hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt antarësimit në familjen e madhe të Bashkimit Europian. Është moment gëzimi për të gjithë shqiptarët, kudo ku ata jetojnë, por edhe një moment reflektimi.

Janë 32 vite nga nisja e realizimit të ëndrrës tonë “E duam Shqipërinë si Europa”, teksa vende që në atë kohë ishin pas nesh në këtë aspiratë, janë tashmë pjesë e Bahkimit Eropian.


Në fillim të viteve ’90, ëndrra jonë e palëkundur ishte “Shqipëria si Europa”. Me këtë ëndërr, asnjëherë besimi i shqiptarëve nuk u lëkund, si një nga popujt më të lashtë dhe me vokacion europian të qendrueshëm. Sigurisht, merita më e madhe në këtë proces, në arritjen e kësaj etape të rëndësishme, i përket shqiptarëve, atyre brenda kufijve dhe atyre jashtë Shqipërisë.

Europa e Bashkuar sot na ka hapur krahët e mikpritjes në gjirin e vet. Një komb formues i kontinentit më të vjetër, ka shumë punë akoma për të bërë.
Shembulli që duhet të ngjekim, është ai i Bashkimit Europian, respektimit të vlerave demokratike në çdo aspekt të jetës.

Është hedhur një tjetër hap i rëndësishëm, por akoma duhet ecur, rrugëtimi vazhdon. Do të ketë tryeza, raunde e takime të shumta, punë të vazhdueshme e të përhershme, deri kur Shqipëria duhet të plotësojë të gjitha detyrimet, të gjitha kriteret për tu bërë pjesë e BE- së. Padyshim, do të duhen shumë vite, shumë përgjegjshmëri dhe transparencë, tashmë në një monitorim edhe më të rreptë nga BE dhe strukturat e saj.

Uroj me zemër të gjithë shqiptarët për këtë ditë të rëndësishme! Dëshiroj që ëndrra jonë e rinisë së hershme, të kthehet sa më parë në një realitet të prekshëm për të gjithë. Do të ishte përmbushja edhe amanetit të mijëra shqiptarëve që sakrifikuan jetën për parimet e lirisë, demokracisë, prosperitetit, që udhëheqin sot Bashkimin Europian. /Nga Voltana ADEMI, publikuar në Facebook/