Mediat ndërkombëtare e kanë pasqyruar lajmin se Shqipëria renditet në vend të parë në Europë për çmimin më të lartë të hidrokarbureve. Sipas Konfederaës së Industrisë Shqipëria gjithashtu renditet në 25 vendet e para në botë për çmimin më të lartë të karburanteve. Megjithëse në tregun ndërkombëtar çmimet janë në rënie, në Shqipëri vijojnë të rriten.
“Në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës në muajin tetor ra me 10 dollarë për ton, ndërkohë që në vendin tonë ndodhi e kundërta, ku karburantet u rritën me 10 lekë për litër,” deklaroi Konfederata e Industrisë.
Shqipëria bën pjesë në listën e shteteve të varfëra por me burime të shumta natyrore, që për shkak të korrupsionit në të gjitha nivelet, keqmenaxhimit dhe faktorëve të tjerë, këto burime natyrore jo vetëm që nuk kanë sjellë të mira për banorët por janë kthyer në mallkim.
Shqipëria është prodhuesi më i madh i naftës bruto në Ballkanin Perëndimor dhe ka rezerva gjigante që vetëm në zonën e Shpiragut llogaritet të shkojnë 500 deri në 800 milion fuçi.