Grupi Parlamentar i PD rrezon Berishen: Ceshtja “tradhetaret” eshte mbyllur

Autoriteti dhe fuqia e Sali Berishës në Partinë Demokratike për herë të parë vihet në dyshim. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i cili dominohet nga besnikë të Lulzim Bashës, nuk mbështet kërkesën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, për t’i kërkuar prova komisionit të votimit, për zbulimin dhe ndëshkimin e tre tradhtarëve, të cilët votuan pro Gramoz Ruçit, për drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Në mbledhjen e fundit të grupit të PD, Berisha kërkoi një hetim dhe administrim provash për zbulimin e tradhtarëve, të cilët sipas tij, i ngulën një thikë pas shpine Partisë Demokratike, duke votuar pro Gramoz Ruçit.
Reagimi i fortë i Sali Berishës, erdhi pas një tentative të Lulzim Bashës, për të eklipsuar rrjedhjen e votave, me pretendimin se shumica i kishte vjedhur votat në parlament.
Megjithatë, pavarësisht kërkesës së Berishës, grupi parlamentar demokrat nuk ka depozituar asnjë kërkesë në Kuvend për hetimin e procesit të votimit apo administrimit të pronave, në funksion të zbulimit të tradhtarëve.
Tërheqja nga kjo çështje, me sa duket me qëllim që të harrohet, është konfirmuar nga komisioni i votimit për Shqiptarja.com.
Trupa përbërëse e komisionit tha për Shqiptarja.com se Partia Demokratike nuk ka treguar më asnjë interes, për të faktuar pretendimet e veta, për rrjedhje apo manipulim votash.
Nga ana tjetër, disa nga deputetët e Partisë Demokratike, të pyetur nga Shqiptarja.com për këtë çështje, thanë se janë të fokusuar vetëm tek veprimtaria e qeverisë ‘Rama 2’. Meqenëse procesi i votimit ishte i fshehtë, për Partinë Demokratike ka vetëm një rrugë për zbulimin e deputetëve që votuan pro Ruçit, duke thyer vendimin partisë, që është administrimi i fletëve të votimit, marrja e gjurmëve të gishtave dhe dërgimi në një laborator privat.
Gjithsesi, zhvillimet e fundit, konfirmojnë se, ndryshe nga Berisha, shumica e parlamentar të Partisë Demokratike dhe Lulzim Basha duan ta harrojnë këtë episod në fillim të kësaj legjislature, i cili ishte një goditje për pozitat e Lulzim Bashës, të kryetarit të grupit parlamentar, Edmond Spahos si dhe për listën Basha. /shqiptarja.com/