“Gomonia me 33 migrantë u nis nga Shqipëria para një jave”, mediat italiane përgenjeshtrojnë Policinë e Shtetit

Policia e Shtetit ka shpërndarë një njoftim për mediat, lidhur me zërat se një gomone me 33 migrantë nga vendet në konflikte të mbërritur sot në Salento të Italisë, ishte nisur nga Shqipëria. Në njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit thuhej:

“Në përgjigje të interesit të medias, lidhur me lajmin e kapjes së 33 migrantëve kurdë dhe irakianë në zonën e Salentos, Itali, Policia e Shtetit bën me dije se:

Nuk ka asnjë provë apo të dhënë që mjeti lundrues të jetë nisur nga toka shqiptare. Gjithashtu, nuk ka asnjë komunikatë apo deklarim zyrtar të forcave policore italiane apo të ndonjë institucioni tjetër që mjeti me migrante të jetë nisur nga Shqipëria.

Sipas dyshimeve të para të autoriteteve italiane, nisur edhe nga shtetësia e migrantëve, dyshohet se ata mund të kenë udhëtuar nga Turqia, nëpërmjet Greqisë, për në Itali. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të luftuar dhe goditur çdo tentativë trafikimi të qenieve njerezore apo çdo paligjshmëri tjetër.

Policia e Shtetit, duke përfituar nga ky komunikim, i kërkon medias që ta kontaktojë për informacion zyrtar e të saktë, për të shmangur keqinformimin e publikut.”, përfundonte komunikata e Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, media italiane, mes të cilave edhe prestixhozia ANSA, thotë se gomonia me 33 migrantë kurdo- iraken dhe kurdo- iranian, ishte nisur që para një jave nga Shqipëria drejt Italisë. Ndërsa shkrimin e ANSA mund ta shikoni në foton më poshtë, në paragrafin e shqipëruar lexohet:

“Të ndihmuar dhe të pritur nga skuadra e emergjencës së Kryqit të Kuq, kanë gjetur strehë në mjetet e shpëtimit në San Cataldo ku dy fëmijë kurdo- iraken kanë fjetur në të ngrohtë në një makinë të Policisë së Shtetit. Shpëtimparëve të tyre ata i kanë referuar se janë në udhëtim prej një jave dhe se kanë arritur brigjet italiane në bordin e një gomoneje të nisur nga Shqipëria. Grupi është transferuar në qendrën Don Tonino Bello në Otranto.”, përfundon shkrimin e saj ANSA.


Për t’u bërë pjesë e grupit të "ShkodraWeb Media" mjafton të klikoni JOIN GROUP dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHKODRAWEB MEDIA ONLINE: https://www.facebook.com/groups/shkodrawebportal