Vetting- u në sistemin e Drejtësisë po tregon këto kohë një fenomen. Ata që “rrëzohen” janë viktima të pasurisë së tyre të akumuluar në vite. Deri tani të paktë, nuk rezulton asnjë gjyqtar apo prokuror që ka rënë në “rrjetën” e vetting- ut për arsye të tjera.
Me logjikën e thjeshtë, kemi patur dhe kemi gjyqtarë e prokurorë të aftë, por që kanë vënë aq shumë pasuri sa nuk mund ta justifikojnë! Për të mos e zgjatur, thuajse gjysma e atyre që deri tani kanë kaluar në vetting, rezultojnë të korruptuar.
Procesi që tenton pastrimin e sistemit të drejtësisë, duhet të verifikojë tre komponente: profesionalizmin, integritetin dhe pasurinë. Sipas gjasave, verifikimi i parë nis nga pasuria. Kalon në sitë dhe nëse rezulton i pastër, ke mundësi të mira “të kalosh klasën” e vetting- ut.
Ajo çfarë konstatohet jo pa keqardhje, është se pasurinë nuk po mundet ta justifikojnë jo vetem gjyqtarë e prokurorë “të prodhuar” pas viteve ’90. Pra nga “koha e plepave” e këtej. Të njëjtin problem duket se e kanë edhe ata “të vjetrit”, të formuar para ardhjes së demokracisë. Teorikisht i bie se këta të fundit janë “infektuar” nga brezi i ri. Ose i janë përshtatur “sistemit” që mesa duket, e paska patur parim korruptimin, të paktën në 50% të rasteve të kaluara në vetting deri tani.
Ndërsa pasuria duket se po kalon në një “sitë” shumë të imët, nuk ka shumë informacione për dy kolonat e tjera që duhet të jenë pjesë e verifikimit dhe vendimmarrjes nga vetting- u për gjyqtarë e prokurorë: profesionalizmi dhe integriteti. E kemi shumë të vështirë të besojmë se vetëm korrupsioni po rrëzon gjyqtarë e prokurorë. Është praktikisht e pamundur të jenë të aftë profesionalisht ata që nuk janë të korruptuar. As që të gjithë, të kenë integritet të lartë moral. Sepse edhe ata janë pjesë e një shoqërie me probleme të shumta edhe me këto dy komponentë.
E çfarë mund të ndodhë (urojmë të jemi të gabuar!) pas vetting- ut që po spastron drejtësinë kryesisht nga elementët e korruptuar? Do të kemi një sistem, pjesë e të cilit do të jenë të paaftët. Të tillë që, për të ruajtur vendin e punës, do të bëjnë çdo “akrobaci”, deri edhe në blerje të postit. Njëkohësisht, do të vazhdojnë të jenë gangrenë për sistemin bazuar në parimin “më mirë një kriminel i lirë se një i pafajshëm në burg”. Nga ana tjetër, do të jenë lehtësisht të shntazhueshëm nga shefat, nga politika dhe në këtë linjë, edhe nga “të fortët”. Këtu futet në mes edhe komponenti tjetër, integriteti moral. Edhe nëse nuk u është bërë publik asnjëherë, “gëlltitja e një luge çorbë të prishur”, do ti bëjë të vjedhin gjithë jetën.
Ky vetting që ka filluar e urojmë të shkojë deri në fund, është merakosur të pastrojë sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit, në përgjigje edhe të përceptimit 28- vjeçar të opinionit publik e mediatik. E nëse do të veprohet kështu, do të ketë nevojë për një vetting tjetër për profesionalizmin dhe integritetin e gjyqtarëve e prokurorëve. Ndoshta edhe për një psiko- analizë të të gjithë trupës që do të teprojë pas testimit bazuar në tre shtyllat e vetting- ut aktual. /Shënim i ShkodraWeb/