ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

Gjykata vendos masën e sigurisë për administratorin shkodran të “Gega Oil”, Paulin Gega u vetëdorëzua të merkuren në polici…

GEgaGjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë detyrim për t’u paraqitur kundrejt garancisë pasurore për administratorin e Gega Oil, Paulin Gegën.

Kujtojmë se ky i fundit u shpall në kërkim nga policia rreth dy javë më parë me urdhër të Prokurorisë së Tiranës dhe mësohet se ai është vetëdorëzuar ditën e mërkurë.

Edhe në një reagim për mediat në datën 10 gusht, administratori i ‘Gega Oil’, tha se nuk ishte në arrati, por me pushime me familjen dhe se do të ishte i gatshëm për drejtësinë. Gjatë seancës për masën e sigurisë, Gega u përfaqësua nga avokati Artan Hajdari, ndërsa përfaqësues i akuzës ishte prokurori Kolë Hysenaj.

Policia

Duke iu referuar njoftimit të Policisë së Shtetit, hetimi për Paulin Gegën, nisi për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” , “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Policia tha dy javë më parë se në datë 7 gusht kishte kryer kontrolle për veprimtarinë e tatimpaguesit “Gen Klaudis ShA”, në vijim të zbatimit të Planit të Masave kundër Informalitetit dhe Evazionit Fiskal në sektorët e Turizmit, Ndërtimit, Hidrokarbureve, Tregtimit të mallrave me akcizë. Nga kontrolli tatimor, sipas bluve janë gjetur pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual dhe për këtë arsye, është kryer bllokimi i tregtimit të karburantit nga ky subjekt.

Pas bllokimit, policia tha se janë kryer hetime që kanë çuar në konkluzionin se administratori i kompanisë, shtetasi Paulin Gega, përmes subjektit “Gen Klaudis Sha” që njihet me emrin tregtar “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme. Pas referimit të Policisë, Prokuroria nxorri një urdhër ndalimi për Gegën, i cili rezultoi se ishte larguar nga vendi në datë 09.08.2019 .

“Shtetasi Paulin Gega u shpall në kerkim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” , “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, njoftoi Policia rreth dy javë më parë.

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.