Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë si papajtueshme më Kushtetutën nenin e Kodit Zgjedhor, që parashikon ndarjen e mandateve me thyerjen e herësit.
Kushtetuesja ka pranuar kërkesën e Bindjes Demokratike të Astrit Patozit dhe Lëvizjes Demokratike Shqiptare, e Myslim Murrizit, të cilët kanë kërkuar heqjen e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Elektoral.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon mundësinë që listat e kandidateve të partive politike do të jetë të hapura 100%. Me këtë vendim të Kushtetueses nuk do të ketë më përparësi renditja e kandidatëve në listë sipas pëlqimeve të kryetarëve të partive, por renditja do të bëhet sipas mbështetjes që do të kenë kandidatët në garë.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë “Bindja Demokratike” dhe partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese
VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, thekson Gjykata Kushtetuese.