Gjykata e Posaçme GJKKO merr vendimin, ja sa vite burg do të vuajë ish- kryebashkiaku i akuzuar për shpërdorim detyre

Për rreth 6 orë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është zhvilluar seanca gjyqësore për ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe, i cili akuzohej për shpërdorim detyre dhe abuzim me tenderat.

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka marr vendimin për ta shpallur fajtor ish-kryebashkiakun për shpërdorim detyre dhe e ka dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë vetëm 2 vite e 4 muaj burg.


Gjithashtu trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Erion Bani, ka pranuar kërkesën e SPAK për dënim plotësues për Tushen, duke i hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Ndërkohë, kujtojmë se në pretencë, SPAK fillimisht kishte kërkuar dënimin me 5 vite burg për Tushen.

Sa i përket ish-kreut të Inspektoriatit të Ndërtimit në bashkinë e Lushnjës, Flamur Peqini, ai është dënuar me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i ulet në vetëm 2 vite.

Peqini gjithashtu s’do të mund të ushtrojë funksione publike për 5 vite.

Ish zv/kryetari i Bashkisë, Gentian Nushi është dënuar me 2 vite e 6 muaj burg, por do të qëndrojë në qeli vetëm për 1 vit e 8 muaj.

Edhe një nga punonjësit e tjerë të bashkisë, Leonard Sefa është dënuar nga GJKKO me 1 vit e 6 muaj burg, ndërsa ai dhe Nushi njëjtë si zyrtarët e tjerë nuk do të mund të kryejnë funksione publike për 5 vite.