Gjykata e Lartë i rrëzon rekursin, ish- kryeprokurori Llalla nëse ekstradohet nga Italia, do të bëjë 2 vite burg…

Fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 raste të ndryshme është shpallur ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Për këtë arsye ai është dënuar me dy vite burg disa muaj më parë dhe pasuria që konsiston në një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë në periferi të Tiranës i është konfiskuar.

Pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimiet të Oganizuar, Llala nuk ka hequr dorë nga beteja ligjore për të rifituar lirinë. Ai kishte kërkuar pezullimin e dënimit të dhënë nga Apeli i GJKKO-së me arsyetimin se është i sëmurë dhe duhet patjetër të jetë i lirë që të kurohet.


Megjithatë, trupa e togave të zeza në Gjykatën e Lartë, e përbërë nga anëtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni, vendosi mospranim të kërkesës.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë lënë sërish në fuqi atë masë dënimi prej 2 vitesh burg dhe 5 vitesh pa të drejtë për të ushtruar funksione publike. Në krah të tij ka dalë avokati mbrojtës, Sokol Hazizaj, i cili e ka quajtur të pakuptimtë mospranimit e kërkesës për klientin e tij.

Ai pretendon se Gjykata e Apelit në Romë i ka pranuar faktet e gjendjes së tij shëndetësore të rënduar dhe ka refuzuar, në një farë mënyre, kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradim e Llallës në vendin tonë.

Dhe duke pasur parasysh se Italia e ka njohur gjendjen e tij shëndetësore të rënduar, duhet ta njohin edhe gjykatat shqiptare. Në fakt u tha se Adriatik Llalla zgjodhi Italinë t’ua besonte “hallin” e vet në momentin kur Gjykata e Apelit dha vendimin e formës së prerë dhe u shpall në kërkim.

Autoritetet italiane njoftuan se i kërkuari i Shqipërisë ishte ndaluar në Romë, por ai do të mbahej në mbikëqyrje derisa të përfundonin të gjithë hapat ligjorë të ndërmarrë për shkak se ai vuan nga një sëmundje e rëndë.