Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi sot në Kryesinë e Kuvendit një takim me përfaqësues të komuniteteve fetare.
Në takim ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Arqipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Asti, Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore, Ergest Biti.
Kryetarja Spiropali nënvizoi se me rastin e Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është e rëndësishme të diskutojmë jo vetëm për lirinë e besimit, si një e drejtë e garantuar në Shqipëri, por edhe për rolin e komuniteteve fetare në garantimin e të drejtave të tjera themelore të qytetarëve, duke kontribuar për ndërtimin e një shoqërie më të mirë, më njerëzore, më të drejtë.
Në këtë takim Spiropali foli edhe për gjuhën që parlamentarët përdorin në Kuvend. Ajo tha se gjuha e dhunës, denigrimit dhe urrejtjes është e papranueshme në Parlament dhe në shoqërinë tonë.
Më tej kryetraja e Kuvendit tha se mirëkuptimi dhe toleranca fetare duhet të shërbejë edhe si një faktor i kohezionit politik dhe si një model prej të cilit politikanët e parlamentarët shqiptarë duhet të mësojnë.