
Gazetari Elio Laze është arrestuar nga Policia e Tiranës për gjobëvënie. Laze, i cili drejton portalin Priza.al, i kishte vënë gjobë 20 mijë euro Klaus Shaqirit, zyrtar i Institutit të Shëndetit Publik. Ky i fundit mësohet se ka qenë personi që ka bërë kallëzimin edhe pranë bluve të Tiranës.
Hetimet janë kryer nga prokurori Asllan Bajramaj. Burime bëjnë me dije se në momentin e arrestimit gazetarit i janë gjetur 5 mijë euro, shumë kjo e gjobës që Laze i kishte vënë zyrtarit të ISHP-së. Pjesën tjetër të gjobës, pra 15 mijë euro, gazetari do i merrte me 3 këste, siç sqarojnë burimet. Ndaj tij rëndon akuza për “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Elio Laze, prej vitit 2021 drejton portalin Priza.al, zyra e të cilit është në një apartament, te kompleksi “Kika” pranë Komunës së Parisit, ngjitur me Klinikën Indiane të Syrit. Më 28 maj të vitit 2021 ai është arrestuar nga policia për armë pa leje dhe lëndë narkotike gjatë kontrollit të makinës së tij në Tiranë, ku edhe nga analizat toksikologjike rezultoi se kishte qenë në efektin e substancave narkotike.
Brenda paketës së cigareve Elio Laze fshihte një cigare hashash. Por habia e vërtetë është kur në cantën e tij policia gjen edhe një pistoletë me plumb në grykë. Ishte një pistoletë e markës “Ekol” kalibri 9mm: armë lufte.
Ndërkohë, në portalin Priza.al, është publikuar artikulli me titull “Skandal / Policia arreston gazetarin për të mbrojtur (klientin) bosin e call centrave Klaus Shaqirin, aktiviteti kriminal nën mbrojtje policore”, që mund ta lexoni më poshtë të plotë:
Klaus Shaqiri, përmes kompanisë “Finantex”, komandon disa celula call centerash në Tiranë, duke qarkulluar miliona euro. Shaqiri dyshohet se është prestanome i deputetit të zgjedhur të PD-së, Belind Këlliçi, ndësa siç e konfirmoi operacioni i SPAK, bosi i call centrave e ushtron veprimtarinë kriminale nën mbrotje policore.
Një nga linjat e hetimit të veprimtarisë së Këlliçit nga SPAK është edhe roli i tij në bandën e call centerave, e njohur si ‘banda FRPD’, pasi anëtarët e të cilës kanë pasur pozicione të rëndësishme në FRPD, kur drejtohej nga Këlliçi. Ata kanë braktisur politikën dhe sot janë pronarë të pasurive të paluajtshme me vlerë dhjetëra milionë euro, produkt i zhvatjes së qytetarëve evropianë.
Gjithnjë nën mbrojtje policore, Shaqiri menaxhon disa celula call centerash në Tiranë, duke mashtruar qytetarë evropianë përmes investimeve të rreme. Paratë produkt i aktivitetit kriminal, Shaqiri i ka investuar në pasuri të paluajtshme në emrin e të afërmve.
Çfarë ndodh? Në vend që të godiste bosin e call centrave, Policia e Shtetit, segmente të të cilës shërbejnë si mburojë e kokave të Forex, ka arrestuar gazetarin Elio Laze, i cili ka denoncuar aktivitetin kriminal të Shaqirit.
Përmes një inskenimi, zyrtarë të lartë të policisë të lidhur ne kokat e call centrave, kanë bashkëpunuar me Klaus Shaqirin, duke arrestuar gazetarin Elio Laze, për të cilin Shaqiri pretendon se i ka kërkuar 20 mijë euro. Nëse gazetari i ka kërkuar para bosit të call centrave ky pa dyshim që është një veprim i dënueshëm, por pikësëpari policia duhet të kishte arrestuar klientin e saj, Klaus Shaqirin, për mashtrim me pasoja të rënda.
NJOFTIMI I POLICISË
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Pronës në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, operacioni i koduar “Portali 1”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit.
Shantazhoi një punonjës të administratës publike, për t’i marrë 5000 euro, që të fshinte nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, arrestohet 37-vjeçari.
I arrestuari, me precedent për armëmbajtje pa leje.
Sekuestrohen shuma e eurove dhe 4 celularë.
Shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një punonjësi të administratës publike, se ishte shantazhuar nga administratori i një portali, finalizuan operacionin e koduar “Portali 1”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap në zyrën e subjektit, në Tiranë, menjëherë pasi mori 5000 euro nga i dëmtuari, dhe u vu në pranga shtetasi E. L., 37 vjeç.
Ai dyshohet se nëpërmjet shantazhit, i ka marrë punonjësit të administratës publike, shumën e eurove, për të fshirë nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, në kohë të ndryshme.
Në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.




