Gjimnazi ishte mbyllur në 2016-ën por “fabrikonte” akoma diploma, “fluturon” titullari i Drejtorisë Arsimore Rajonale…

Drejtoresha e Zyrës e Arsimit në Tiranë është shkarkuar nga detyra pas denoncimit të emisionit “Stop” për gjimnazin jopublik “Skënderbej” që jepte diploma edhe pse ishte mbyllur në vitin 2016. Arjola Byzyka u shkarkua pasi ky skandal u transmetua në emisionin “Stop” në Tv Klan, raporton ABC Neës. Vet drejtoresha, në një prononcim për “Stop”, kishte thënë se ky gjimnaz është i mbyllur prej dy vitesh me urdhër të Ministrisë së Arsimit, por pronari kishte një licencë aktive për një shkollë profesionale dhe ka mashtruar qytetarët. Kanë qenë këta të fundit që ngritën shqetësimin e tyre pranë redaksisë së “Stop” dhe njëkohësisht kishin vendosur në dijeni Drejtorinë Arsimore të Tiranës.

Ata ishin njohur me vendimin për mbylljen e gjimnazit vetëm në Dhjetor të vitit 2018 dhe tani refuzojnë të paguajnë detyrimin financiar. Por, shkolla refuzonte që t’i pajiste me vërtetimin e notave fëmijët e tyre në mënyrë që t’i çonin në një shkollë tjetër. Pavarësisht se ishte e mbyllur prej dy vitesh, shkolla “Skënderbej” në Tiranë jepte diploma me vula të DAR e Ministrisë së Arsimit. Për këtë abuzim, sot u shkarkua nga detyra drejtoresha e DAR Tiranë Arjola Byzyka.