Nehat Kulla i drejtohet Gjykatës së Krujës, duke i kërkuar heqjen dorë nga kërkesa e mëparshme për lirim nga burgu.
“Meqenëse nga konsultimet me klientin tim, i cili më ka caktuar në këtë detyrë, kemi rënë dakort, kërkojmë që të heqim dorë nga kërkesa me objekt Lirirm nga Burgu (qëndrim në shtëpi), pasi mendojmë se interesat tona do ti vlerësojmë në një moment të dytë”, thuhet në kërkesën që mbrojtja i ka dërguar Gjykatës së Krujës.
Nehat Kulla u arrestua në vitin 2005 pas dënimit me 20 vite burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi, ish-shofer i ish-zv/ministrit të Arsimit, Halit Shamata. Ai u dënua edhe për armëmbajtje pa leje.
I ashtuquajturi ‘Gjenerali’ ka depozituar më 29 qershor të 2018-ës një kërkesë ku kërkon lirimin për sjellje të mirë dhe për shkak të problemeve me shëndetin. Kulla ka përfituar 5 vjet ulje dënimi gjatë 14 viteve të fundit dhe tashmë i ka mbetur më pak se 1 vit burg për kryer. Por, tashmë është tërhequr nga kërkesa dhe me sa duket do të presë përfundimin e dënimit për të qenë i lirë.