
Një person i pajetë është gjetur në ujërat e lumit Mat në fshatin Zenisht. Personi i mbytur është konstatuar nga banorët e zonës të cilët kanë njoftuar menjëherë autoritetet.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe të spitalit të Burrelit të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë dhe transportimin e tij drejt institutit të mjekësisë ligjore në Tiranë.
Trupi i personit mashkull rreth 55 vjeç do t’i nënshtrohet ekspertizës.
Ai dyshohet të jetë ish oficeri i Gardës së Republikës Flamur Kolmarku i cili kohët e fundit kishte humbur kujtesën dhe ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë.
Mat/Informacion paraprak
Më datë 07.06.2026, rreth orës 10:00, në lumin Mat, në fshatin Zenisht, Bashkia Mat, është gjetur pa shenja jete shtetasi F. K., 56 vjeç, banues në Tiranë.
Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.





