
Para dy ditëve nga Bashkia Shkodër u bë publik një informacion, sipas të cilit Ministria e Arsmit, nuk ka mbështetur këtë vit, siç bënte gjithmonë Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës që organizohet në Shkodër. Njoftimi i shpërndarë, ishte si më poshtë: “Skandal, Ministria e Arsimit i tërheq mbështetjen Festivalit Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë në Shkodër!
Në datat 1, 2 ,3 qershor 2018, në ora 18.00 në teatrin “Migjeni” starton Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, edicioni 56, organizuar nga Bashkia Shkodër, Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe shoqata “Shpirti Artistik i Shkodrës”.
Si një eveniment mbarëkombëtar, gjithmonë është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Arsimit. Dy vitet e fundit, Ministria e Arsimit nuk ka qënë korrekte me mbështetjen e saj. Viti 2017 shënoi nisjen e problemeve, ku vetëm në minutat e fundit u bë e mundur që Ministria e Arsimit të materializonte kontributin e saj. Sivjet është akoma më keq. Ministria e Arsimit nuk do të kontribuojë për Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, edicioni 56. Dikasteri kishte marrë përsipër foninë dhe veshjet e fëmijëve, me një fond 8 milion lekë, i cili këtë vit do të mungojë.
Prej shumë vitesh, ky dikaster por edhe të tjerë, po bëjnë përpjekje që këtë event mbarëkombëtar ta zbehin, ta eklipsojnë duke e konsideruar vetëm një festival lokal. E provuan edhe vjet, por mesa duket në minutat e fundit u tërhoqën meqenëse ishte viti 2017. Sivjet që nuk ka zgjedhje, për turpin e Ministrisë së Arsimit, nuk ofruan aspak mbështetje.
Megjithatë, Bashkia e Shkodrës do të sigurojë e plotësojë mangësitë që mund të krijoheshin nga mungesa e mbeshtetjes së dikasterit qëndror që Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, edicioni 56 të jetë në shkëlqimin e tij të zakonshëm. Sepse ai është i lidhur pazgjidhshmerisht me qytetin e Shkodrës.”.
Menjëherë, jo zyrtarisht (siç e pranon edhe vetë) ka reaguar Ministria e Arsimit, e cila me dashje (sepse nuk mund të besohet se e ka bërë pa dashje) deklaron diçka që nuk ka lidhje me çështjen në fjalë, ndërsa në fakt bën një autogol. Njoftimi që është marrë nga disa portale, shkruan shkurt:
“Jemi te detyruar te sqarojme opinionin publik dhe vete bashkine Shkoder se me ligjin e ri qe ka hyre ne fuqi muaj me pare, Qendra kombetare e femijeve dhe ato kulturore ne rrethe kane kaluar ne varesi te bashkive. Ne kete rast ne si ministri nuk jemi me pjese e asnje lloj vendimarrje, e per pasoje me ligj fondet mund te perfitohen vetem nga ministria e kultures dhe ajo financave. Prandaj bashkia Shkoder do te duhej t’u drejtohej institucioneve te tjera ne kete rast, pasi MAS nuk mund te operoje ne te tilla raste. Shpresojme te kete qene nje keqkuptim i tyre apo nxitim, pasi per kete arsye nuk kemi reaguar ne faqen tone zyrtare, duke mos dashur t’u pergjigjemi deklaratave te dhena me ngut”.
Edhe një profan në gjuhën shqipe e kupton se askush nuk i ka kërkuar financim Ministrës së Arsimit për QKF-në. Askush nuk e ka akuzuar se nuk ka dhënë fonde për këtë institucion. Por nga ana tjetër, bëhet fjalë për një eveniment mbarëkombëtar që mbeshtetet edhe nga Ministria e Kulturës, përmes Drejtorisë Arsimore Rajonale Shkodër. Ata që kanë më shumë interes, mund të kontrollojnë në faqen e kësaj ministrie dhe do të gjejnë informacion të mjaftueshëm, edhe nga kush mbështetet.
Për ata që e kanë me përtesë, po paraqesim posterat zyrtarë të evenimentit për 4 edicionet e fundit. Në 3 prej tyre, emri i DAR Shkodër është në krye, ndërsa në edicionin që pritet të nisë, nuk ka përfshirje as në poster. Pikërisht për arsyen se Ministria e Arsimit përmes DAR Shkodër, nuk ka mbështetur. Për ta bërë më të thjeshtë, DAR bën kërkesë dhe buxhetimi bëhet në Ministrinë e Arsimit. Për vitin 2017, ka qënë ndërhyrja e ministrit të jashtëm Ditmir Bushati që ka bërë të mundur alokimin në minutën e fundit të fondit. Për 8 milion lekëtë vjetra, Festivali nuk ngelet pa u bërë. Por Ministria e Arsimit duhet ta kuptojë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, edhe kur niset nga Tirana, edhe kur amplifikohet nga mediat. Për më shumë informacione, ata që kanë kureshtje të pyesin në DAR Shkodër, nëse drejtori Ymeraj e ka hapur celularin akoma…©ShkodraWeb