
Gazetari Artan Hoxha ka publikuar pamjet e pajisjes misterioze që është gjetur në jug të Shqipërisë, nga turistë të huaj në ishullin e Sazanit. Sipas tij, dyshimet e para u ngritën se kjo pajisje mund të përdoret për spiunazh apo aktivitet kriminal.
“Bëri bujë lajmi se një pajisje e sofistikuar që ishte gjetur në ishullin e Sazanit, nisur edhe nga fakti se nuk ka banorë dhe se vizitohej nga turistët. Duke qenë se në këtë kohë ka pasur një lëvizje të madhe të anijeve të NAOT-s në Adriatik dhe Jon, tërhoqi vëmendjen se pajisja u gjet nga turistë në një zonë dominuese”, u shpreh ai në “Abc Live” .
Gazetari Artan Hoxha deklaron se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se pajisja nuk ka antenë të dërgimit të mesazheve apo të marrjes së tyre. Rrjedhimisht sipas Hoxhës, ky fakt ul mundësinë e përdorimit të saj për qëllime spiunazhi duke rritur mundësinë që të jetë përdorur nga grupet kriminale për të informuar gomonet që kalonin në zonë për trafik droge në lidhje me lëvizjen e policisë.
“Vazhdimisht, pas orës 17:00 në Sazan qendron motovedeta e policisë si edhe punonjësi i radarit dhe prandaj është e pamendueshme që një person të qendronte me atë pajisjen aty në bunker pa u pikasur nga punonjësi i radarit.
Kjo zonë është shfrytëzuar vazhdimisht nga grupet kriminale për transportin e lëndëve narkotike, por edhe të armëve apo njerëzve. Prandaj dyshohet se kjo pajisje mund të jetë vendosur aty për të orientuar grupet kriminale.
Sepse nëse do të përdorej celulari aty mund të pikasej dhe atëhere ata kanë gjetur këtë pajisje me zhurmë. Këtë e konfirmon edhe pozicioni që është vendosur pajisja”, tha Hoxha duke theksuar se zona përdoret shpesh nga grupet kriminale për transport të drogës.
“Ne kemi patur grupe kriminale shqiptare që kanë dërguar drogë në sasi të mëdha deri në Turqi”, tha Hoxha.
Lajmi për gjetjen e pajisjes u bë me dije nga Eksperti i Kriminologjisë, Ervin Karamuço i cili tha se bëhet fjalë për një pajisje elektronike shumë funksionale që përdoret që nga përgjimi e deri tek bllokimi i valëve.
“Janë duke bërë rikonjicion nga deti nga ajri dhe nga toka për të gjetur pajisje të tjera. Dyshohet se ka të tjera. Është një pajisje fultifunskionale, përdoret për intereferencë të zërit, për përgjime, për bllokime të valëve ka shumë arsye”, ka deklaruar Karamuço.
Gjetja e pajisjes së dyshimtë ka alarmuar edhe ushtrinë njdërsa 10 anije luftarake kanë patrulluar Karaburunin.