GAFA/ Femijet ne Tirane mesojne ne shkolle: Edi Rama kryetar bashkie, Sali Berisha kryeminister

Nxënësit e klasave të 5 në kryeqytet mësojnë ende se Kryetar i Bashkisë së Tiranës është Edi Rama dhe se në qeveri është ende Sali Berisha. Kështu thuhet në tekstin e lëndës së vendlindjes, “Të Mësojmë Historinë dhe Gjeografinë Lokale”, që ata e kanë 2 herë në javë në programin mësimor. Nxënësit thonë e kanë blerë këtë libër, si pjesë të kurrikulës mësimore. Atij i referohet edhe mësuesja, për të dhënë shënime, për ata që nuk e kanë librin.
Prej vitesh lënda e vendlindjes është bërë pjesë e kurrikulës për klasat e 5 -ta, por ky libër është botuar 2008 dhe prej afro 10 vjetësh nuk ka pësuar asnjë ndryshim, edhe pse zhvillimet që ato pasqyrojnë kanë ndryshuar thuajse tërësisht.
Këta nxënës mësojnë ende për komunat dhe njësitë bashkiake, edhe këto ndarje administrative nuk ekzistojnë më që me miratimin e Reformës Territoriale, në vitin 2014.
Në disa shkolla, si Gjon Buzuku, kjo lëndë jepet tërësisht me shënime, çka për fëmijët është tejet e vështirë. Por edhe me shënime, nxënësve u jepet informacion i gabuar mbi vendlindjen.
Tv Klan u interesua pranë Ministrisë së Arsimit mbi këtë problematike, por nuk mori përgjigje.
Javën e kaluar, emisioni “Stop” në Tv Klan denoncoi një tjetër skandal me tekstet, ku nxënësve të klasave të treta në shkollën “Kongresi i Manastirit”, u jepej informacion i detajuar me përmbajtje të fortë seksuale, për mënyrën e riprodhimit.
Psikologët e konsideruan të dëmshëm tekstin, ndërsa Drejtoria Arsimore vendosi të pezullojë drejtoreshën e shkollës. /Tv Klan/