Futbolli shqiptar zyrtarisht me VAR, debuton sot në Superkupën Teuta-Vllaznia…

Futbolli shqiptar nis sot zyrtarisht sezoni e ri me finalen e Superkupës së Shqipërisë midis Teutës dhe Vllaznisë, që luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 19:00. Në këtë ndeshje do të përdoret për herë të parë në Shqipëri edhe sistemi VAR (Video Assistent Referee), që është edhe risia e investimi më i madh i Federatës Shqiptare të Futbollit në edicionin e ri të futbollit.

Plot 180 ndeshje të Kategorisë Superiore 2021/2022 do të luhen me sistemin VAR, ndërkohë që ky sistem do të përdoret edhe në Kupën e Shqipërisë duke filluar që nga faza çerekfinale e deri në finalen e madhe.


Prej disa javësh FSHF ka organizuar procesin e implementimit të video-asistentit të arbitrit përmes testimeve në disa ndeshje miqësore dhe trajnimet e fundit për të filluar aplikimin e tij nga sot.

Procesi ka qenë i ndarë në tre faza, ku janë zhvilluar seminarët teorikë me arbitrat ku u prezantuan me teknologjinë, u dhanë informacionet mbi mënyrat e përdorimit të aparaturave për të gjithë stafin teknik dhe atë të arbitrave. Seminaret janë udhëhequr nga Aleksandër Papin, përfaqësues i kompanisë EVS dhe Mike Van Der Roest, udhëheqës i projektit VAR në FIFA.

Gjithashtu, janë kryer trajnimet në fushë, me ndeshje të vërteta dhe në stadium ku transmetimit televiziv i bashkëngjitet edhe Sistemi VAR, në të cilat arbitrat veprojnë si në ndeshje të vërteta, ku në rast vendimesh të dyshimta komunikojnë me VAR dhe kërkojnë ndërhyrjen e tij. Video-asistenti synon të minimizojë në maksimum gabimet njerëzore të arbitrave dhe implementimi i këtij sistemi do të ndikojë ndjeshëm për të pasur vendime sa më të drejta në fushën e lojës.