
Ngjarjet e rënda të ditëve të fundit, kanë vënë në lëvizje Policinë e Shtetit. Mësohet se drejtori i Policisë, Ardi Veliu, ka firmosur 40 urdhra emërimesh të shefave të komisariateve në rrethe dhe në Tiranë.
Është bërë e mundur të zbulohen disa prej këtyre emrave, një prej të cilëve është shkarkuar dy vjet më parë nga kryeministri Edi Rama.
Bëhet fjalë për Ylli Dodën, ish shefi i komisariatit numër 2 të Tiranës i cili u shkarkua nga kryeministri në gusht të 2017-ës në valën e denoncimeve të qytetarëve te Rama.
Dikush i shkroi asokohe kryeministrit se dy shefat e komisariateve numër 1 dhe 2 në Tiranë, Ylli Doda dhe Albert Xhaho, po ndërtonin pa leje. Me të marrë mesazhin e qytetarit, pa e zgjatur shumë, Rama i kërkoi shkarkimin e tyre Haki Çakos, asokohe drejtor i përgjithshëm policie.
Por tashmë me urdhrin e firmosur nga Ardi Veliu, Ylli Doda emërohet drejtor policie në Durrës, raporton newsbomb.al.
Gjithashtu Gazmend Demrozi ish-shef i komisariatit te Shkodrës, emërohet shef komisariati në Tiranë.
Alfred Cenaj, shef i seksionit të krimit të organizuar në Durrës, emërohet shef komisariati në Rrëshen.
Edmond Meshini, ish zv.drejtor i Policisë së Rendit të Tiranës emërohet shef i komisariatit nr 3 në Tiranë.
Kujtojmë gjithashtu se disa ditë më parë u shkarkua edhe drejtori i Policisë së Vehbi Bushati, si dhe shefi i komisariatit në Shkodër, Vasil Çela.
Vendet e tyre i zunë Niko Brahimaj dhe Lorenc Meta. Për ndryshimet e tjera, nga lista me 40 emra, firmosur nga Veliu, newsbomb.al do t’ju informojë në vazhdim.