
Ndërsa bota mban zi dhe përgatitet për ceremoninë madhështore të lamtumirës së Atit të Shenjtë, Papa Françesku, edhe Shqipëria do të jetë pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shpirtërore dhe historike.
Në një akt domethënës uniteti dhe respekti ndërfetar, përfaqësues të lartë të komuniteteve fetare shqiptare do të udhëtojnë drejt Vatikanit për të nderuar figurën e Papës dhe për të marrë pjesë në ceremoninë mortore që pritet të bashkojë liderët më të rëndësishëm botërorë.
Ky angazhim i përbashkët i besimeve të ndryshme është një dëshmi e gjallë e kulturës së bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar që ka karakterizuar ndër shekuj shoqërinë shqiptare. Ceremonia në Sheshin e Shën Pjetrit do të jetë jo vetëm një moment i thellë reflektimi dhe nderimi, por edhe një shenjë e fortë e vlerave të tolerancës dhe bashkëpunimit shpirtëror.
Përfaqësuesit fetarë shqiptarë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë e lamtumirës:
Kisha Katolike e Shqipërisë
Sh.T.Z. Imzot Giovanni Peragine – Arqipeshkv i Shkodrës dhe Pultit
Imzot Arjan Dodaj – Arqipeshkv Metropolit i Tiranës dhe Durrësit
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
Hirësia e Tij Joan – Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë
Hirësia e Tij Anastas – Peshkop i Krujës
Kryegjyshata Botërore Bektashiane
Shenjtësia e Tij Dede Edmond Brahimaj – Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve
Z. Ferdinand Samarxhi
Pjesëmarrja e këtyre personaliteteve është një shprehje e ndjenjës së thellë të respektit dhe solidaritetit shpirtëror ndaj Papës Françesku, një figurë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kishës Katolike dhe në ndërgjegjen morale të botës.