
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të marrë pjesë në funeralin e Papës Françesku, i cili do të mbahet të shtunën në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, njoftoi sot zyra e saj.
Në ndryshim, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk ka planifikuar të marrë pjesë, njoftoi gjithashtu sot Kremlini.
“Jo, presidenti nuk ka një plan të tillë“, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, kur u pyet gjatë një konference për shtyp nëse Vladimir Putin do të shkonte në Vatikan për funeralin e papës, i cili vdiq të hënën, më 88 vjeç, nga një sëmundje.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar tashmë se ai dhe gruaja e tij do të udhëtojnë në Romë për funeralin. Ndër udhëheqësit e tjerë të shteteve që do të marrin pjesë në ceremoninë janë Javier Milei, presidenti i Argjentinës, atdheu i papës së ndjerë, presidenti i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.