‘Frika pas kryengritjes së Postribës’, zbulohet dokumenti i 46′: Po çarmatosim Gjirokastrën e Vlorën, kemi mbledhur 6412 armë

Loading...

Aksioni për çarmatosjen e popullsisë në vjeshtën e 1946. Dokumenti i 29 tetorit 1946: Ka rezistencë në Delvinë, Përmet, Këlcyrë dhe Kurvelesh.

”Çarmatimi i popullsisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme sidomos në situatën e sotme”, thoshte një urdhëresë e ministrisë së Brendshme e 9 shtatorit 1946. Data e kësaj urdhërese përkon me ditën e kryengritjes së Postribës dhe i ngjan më shumë një alarmi, që kishte ngritur në këmbë gjithë strukturat e regjimit komunist në Shqipëri. Pas kësaj urdhërese, në të gjithë vendin nisi me urgjencë aksioni për çarmatimin e popullsisë, për të mos i lënë shteg një tjetër kryengritjeje të armatosur.

Një varg i gjatë shkresash të muajve shtator-tetor 1946 flasin për këtë aksion në zona të ndryshme të vendit. Për zonën e Gjirokastrës dhe Vlorës, Mihal Bisha njoftonte se ishin dorëzuar 6412 armë të ndryshme dhe se dyshohej që kishin mbetur pa u dorëzuar vetëm disa armë në Delvinë, Përmet, Këlcyrë dhe Kurvelesh, ku duket se kishin hasur në rezistencë. Ndryshe nga raportet që vinin nga veriu i Shqipërisë, ku komunistët hasën vështirësi të mëdha në dorëzimin e armëve e madje përdorën pushkatimet në masë para popullit, për t’i detyruar të dorëzonin armët, në zonat e Shqipërisë së mesme dhe në jug ky proces u krye disi më lehtë. Sidoqoftë, urgjenca e këtij aksioni dhe masat ekstreme që u ndërmorën, dëshmojnë se regjimi komuinist, pavarësisht vrasjeve pa gjyq, arrestimeve të shumta, torturave e masave ndëshkimore ekstreme ndaj kundërshtarëve, ishte ende krejt i pasigurt për në rrugën e konsolidimit të tij. Më poshtë, e sjellim të plotë për kujto.al raportin e Mihal Bishës, për çarmatimin e popullsisë në zonat e Gjirokastrës dhe të Vlorës në tetor 1946.

VDEKJE FASHIZMIT

LIRI POPULLIT

P.K.SH.

KOMITETI QARKOR

GJIROKASTËR

Nr. 881/6 Prot.

Gjinokastrë me 29/X.946

KOMITETIT QENDROR TË PARTISË K.SH.

T I R A N Ë

Me marjen e urdhëresës Nr.3 të Ministrisë P. të Brëndëshme dhe të shkresës t’uaj Nr.1415 datë 9/9/946 me Organizatën tonë me një herë u shtrua çështja e çarmatimit dhe rëndësija e jashtëzakonëshme që ka në situatën e sotshme.

Reth këtij problemi ashtë aritur mobilizimi total i Organizatës e cila nga një anë s’qarojti popullin për këtë masë që mori Pushteti i ynë dhe nga ana tjetër dha ndihmën e saj komplet në Seksionet e Brëndëshme për kryerjen sa më mirë të kësaj detyre.

Denoncimi dhe dorëzimi i armëve ka filluar nga java e fundit të muajit kaluar. Informata të sakta që janë dhënë prej Organizatave dhe puna s’kjaruse që është bërë në popull bëri që dorëzimi i armëve të bëhet në rregull për pjesën ma të madhe të popullit që zotëronin armë duke mos qenë nevojë të përdoren masa të ndryshme, me përjashtim shumë pak rasteve që qenë të nevojshme dhe që mbrijtën qëllimit.

Masa deri tani janë marë vetëm në Tepelenë e Livohovë me nja dy persona. Ka pas disa mos kënaqësi në Kurvelesh për në s’kjarimin e bërë kemi patur sukses.

Nga statistikat e fundit që na kanë mbritur nga N/Prefekturat e ndryshme rezullton se deri tani janë dorëzuar 6412 armë të ndryshme. Dorëzimi vazhdon nga ana e popullit dhe parashikohet që të dorëzohen akoma 800-900 armë. Përveç këtyreve dyshohet se mund të mbetet një numur i vogël pa dorëzuar sidomos në Delvinë, Përmet, Këlcyrë dhe Kurvelesh. Organizatat janë udhëzuar që të bashkëpunojnë me Seksionet e Brëndëshme dhe të Sigurimit në mënyrë që të mos mbetet as një armë pa u-zbuluar dhe pa u-dorëzuar.

Me mbarimin e afatit do të ju dërgojmë një raportë të hollësishmë reth përfundimit të dorëzimit të armëve. Deri tani ka mjaftë kërkesa për ti mbajtur armët me leje. Organizata është udhëzuar që tëketë sa më pak kërkesa. Duke qënë të denoncuara u kemi lënë në dia raste armët që kanë kujtim familjet e dëshmorëve të cilave u janë dorëzuar nga repartet ku bënte pjesë dëshmori.

P/Komitetin Qarkor

(Mihal Bisha)

(firma, vula)

Loading...