
Mirënjohje dhe respekt të thellë për qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që dëshmuan dje, se në Shqipëri ka një popull europian dhe një qeveri antieuropiane, e cila nuk ndahet dot nga krimi dhe nga dhuna.
Protesta i tregoi mbarë botës të vërtetën e krimit dhe të drogës, të vërtetën e vëllezërve Xhafaj, të vërtetën e një kryeministri i cili është lidhur aq ngushtë me krimin, sa nuk gjen dot një njeri pa lidhje me drogën që të drejtojë Ministrinë që duhet të luftojë drogën.
Qëndrimi ynë është i pandryshuar dhe i pakompromis: Fatmir Xhfaj duhet të largohet dhe do të largohet. Për sa kohë ai është ministër, nuk do të ketë hetim dhe drejtësi të vërtetë për të dhe për të vëllain dhe nuk do të ketë luftë të vërtetë kundër krimit dhe drogës.
Atyre që bëjnë thirrje për dhunë dua t’u përgjigjem direkt: Partia Demokratike lindi dhe është forcë europiane. Ajo është parti e njerëve që besojnë tek liria, demokracia dhe vlerat europiane. Fuqia e saj janë njerëzit dhe vullneti i lirë i tyre dhe jo dhuna.
Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn i rrëzon e vërteta dhe jo dhuna. Dhuna nuk është zgjidhja, e vërteta është zgjidhja. /Nga Lulzim BASHA/