
Lajm i mirë! Prefekti i Qarkut Shkodër “reflekton” dhe riparon gabimin në foton me të cilën uron besimtarët për festën e Pashkëve. Fjala “perfekt”, e shkruajtur gabim, është korrigjuar në “prefekt”. Natyrisht, faqja e Valdrin Pjetrit duhet të administrohet jo direkt nga ai por gabimet e mundshme i atribuohen atij. Në postimin e parë, ku konstatonim gabimet, përveç fotos së urimit, kishte edhe gabime të tjera drejtshkrimore. Por siç mund të shihni në foton më poshtë, ato janë lënë ashtu siç ishin. Për të ndihmuar sado pak në minimizimin e gabimeve, aq më shumë kur bëhet fjalë për një personazh publik dhe zyrtar të rëndësishëm, po sugjerojmë ndryshimet që duhen bërë sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe:
– Fjala “gjithe” duhet të jetë “gjithë”
– Fjala “besimtaret” duhet të jetë “besimtarët” (në rast se urimi i drejtohet edhe femrave, edhe meshkujve)
– Fjala “Krishtere” duhet të jetë “krishterë”
– Fjala “Gëzuar” duhet të jetë “gëzuar”
– Fjala “Shëndet” duhet të jetë “shëndet”
Sigurisht, janë gjëra të vogla por për zyrtarët, gjuha shqipe dhe respektimi i rregullave dhe standarteve në komunikimin publik, janë të detyrueshme. Gjithsesi, besimtarët e kanë marrë urimin dhe këtë herë, nga prefekti dhe jo “perfekti”.