Stina e verës sjell në vendlindje mijëra shqiptarë që për një arsye apo tjetër, jetojnë në emigracion. Çdo ardhje ngjall gëzim e emocion për familjet e të afërmit e atyre që kthehen për pushime e për tu çmallur pranë njerëzve të dashur. E në kohën e teknologjisë dhe internetit, shumë bëhemi pjesë e gëzimit dhe festave familjare.
E duke lundruar në internet, ndeshemi me një foto të veçantë, vetëm para pak orëve, në Pedonalen e Shkodrës, përbri Kafes së madhe që sot është një rrënojë që rënkon nën peshën e harresës që po e zhduk gradualisht nga faqja e dheut e historia, përmes lënies në degradim, fshehur me një perde të dalë boje nga koha. Janë dy legjenda. Po, po, dy legjenda të gjalla të atletikës shqiptare. Vera Bregu Bitani dhe Arbana Xhani Bekteshi, dy kampione, dy yje të rralla në qiellin e atletikës shqiptare, kampione e rekordmene të padiskutueshme, shoqe sporti e jete por edhe rivale në gara sportive.
Është kënaqësi e jashtëzakonshme ti shohësh sot përkrah njëra- tjetrës, me shkëlqimin që koha nuk ka mundur t’ua marrë, shembull e krenari për shumë vajza që duan të ndërmarrin rrugën e vështirë e me sakrifica të sportit. E natyrisht, një foto e tillë nuk ngjall emocione për të gjithë. Për ata që nuk i njohin apo nuk kanë lexuar për Verën e Arbanën, po u përcjellim telegrafikisht dhe shumë shkurtimisht vetëm pak nga karriera e tyre.
Vera Bregu, Mjeshtre e Merituar të Sportit Shqiptar, 10 herë kampione kombëtare e Shqipërisë në kërcimin së gjati, përmirësuese 7 herë e rekordit kombëtar të kësaj gare, 4 herë fituese në trehapesh.
Arbana Xhani, Mjeshtre e Merituar të Sportit Shqiptar, është atletja shqiptare që kaloi duke thyer rekordin e kërcimit së gjati, 6 metrat për herë të parë. Ajo është 24 herë kampione kombëtare e garës së 200 metrave dhe 18 herë e garës 100 metra. Ka thyer tre herë rekordin kombëtar të 200 metrave dhe dy herë atë të kërcimit së gjati.
Të cilësuara si ambasadore e sportit shqiptar në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare të atletikës; në mitingje, në kampionate ballkanike, europiane, botërore. Të gjitha këto në personalitetin, talentin dhe përkushtimin e vajzave të thjeshta.
Në një foto, qindra medalje, tituj kampionë, rekorde, një pjesë e të cilave edhe sot nuk janë thýer akoma. Vera Bregu Bitani dhe Arbana Xhani Bekteshi, ja pse një foto përbën “lajm”, në një ditë të zakonshme vere, përbri Kafes së Madhe, në Pedonalen e Shkodrës tonë. /ShkodraWeb Media/