Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë së korona virusit, Presidenti i SHBA, Donald Trump është shfaqur me maskë në publik. Presidenti po vizitonte spitalin ushtarak Walter Reed jashtë Uashingtonit, ku u takua me ushtarë të plagosur dhe punonjës të kujdesit shëndetësor.
“Asnjëherë nuk kam qenë kundër maskës, por besoj se ka një kohë dhe një vend,” tha ai ndërsa u largua nga Shtëpia e Bardhë, raporton BBC.
Trump më parë kishte deklaruar se nuk do të mbante maskë, ndërsa ironizoi rivalin e tij Joe Biden për këtë gjë.
Por këtë të shtunë Trump tha: “Unë mendoj se kur je në spital, veçanërisht në atë ambient të veçantë, ku po flet me shumë ushtarë dhe njerëz mendoj se është një gjë e shkëlqyeshme të vendoset një maskë”.
Ndryshimi i qëndrimit të Presidentit erdhi pasi SHBA regjistroi të shtunën 66.528 raste me korona virus.