FOTOLAJM – “Nxënëset e reja të klasës”, ministret e qeverisë “Rama 3”, Edona Bilali dhe Bora Muzhaqi premtojnë maksimumin

Dy ministret më të reja të qeverisë “Rama 3”, Edona Bilali dhe Bora Muzhaqi kanë zhvilluar një takim së bashku, ku jo vetëm kanë shprehur mbështetjen për njëra-tjetrën, por edhe janë konsultuar në lidhje me sipërmarrjen dhe startupet.

Bora Muzhaqi është emëruar Ministre për Rininë dhe Fëmijët, ndërsa Bilali Ministre për Sipërmarrjen. Muzhaqi ka qenë këshilltare e jashtme për BERZH tek Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ku ka folur për sfidat e këtij institucioni që do të drejtohet në mandatin e tretë të PS nga deputetja e Shkodrës, Bilali.

Duke e cilësuar veten ‘si nxënëset e reja të klasës’, Muzhaqi dhe Bilali shprehin bindjen se do të bëjnë maksimumin e tyre në institucionet që u janë besuar.

“Me Bora Muzhaqin na lidhin shumë gjëra: “nxënëset e reja të klasës”, pasioni për sipërmarrjen dhe startupet. Na lidh edhe puna tashmë. Bora ka qenë këshilltare e jashtme për BERZH tek Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ku unë së shpejti nis detyrën. Takimi kishte kryefjalë arritjet dhe sfidat e institucionit. Gjej rastin që edhe publikisht ta uroj Borën për detyrën e re dhe t’i uroj sa më shumë impakt për të rinjtë e fëmijët”, shkruan Bilali.

Ky postim i Bilalit është shpërndarë edhe nga Muzhaqi, e cila shkruan “Edona Bilali jam e bindur që do jesh gjithmonë në krahë të biznesit, dhe për çdo gjë do më kesh mbështetje për një klimë më të mirë të sipërmarrjeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre”.

ShkodraWeb Channel