Partitë e djathta kanë nënshkruar sot marrëveshjen e koalicionit opozitar. Por ajo që ka rënë në sy gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes kryetarit të opozitës, Lulzim Basha dhe kreut të PR-së, Fatmir Mediu ka qenë afrimi i një personazhi të njohur të ekranit.
Në krah të Fatmir Mediut është ulur sot si zyrtare e PR-së, ish-prezantuesja e emisionit “Njerëz të humbur”, Aida Shtino. Kjo e fundit sipas burimeve mësohet se ka rreth 8 muaj që është afruar pranë Partisë Republikane.
Ende nuk dihet posti që marrë në PR, Aida Shtino, por ajo është prezantuar në krahun e majtë të Fatmir Mediut, ndërsa në krahun tjetër është nënkryetari “historik” i PR-së, Arjan Madhi. Aida Shtino ka qenë kandidate për deputete në vitin 2013, por asokohe ajo garoi për here të parë me siglën e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet në Qarkun e Lezhës.
Shtino nuk arriti të fitojë një mandat deputeti në zgjedhjet e 2013 dhe që pas asaj periudhe ajo nuk u shfaq më në politik aktive dhe as në media.