
Rruga e Gjuhadolit prej viteve, sidomos në sezonin e verës, është ndër më të frekuenturat. Lokalet e shumta në gjatësinë e saj, grishin qytetarët shkodranë por edhe turistët ta vizitojnë, përveç vlerave të saj muzeale. Mbrëmjeve, një makinë e policisë së shtetit, policisë bashkiake apo disa kone sinjalistike, vendoseshin në krye të rrugës Luigj Gurakuqi për të bllokuar qarkullimin e mjeteve.
Kjo, pasi që lokaleve nuk u mjaftonin më hapësirat e tyre të brendshme apo trotuaret që mbusheshin me karrige e tavolina, por bllokohej edhe rruga nuk normalisht, në orare të caktuara, mund të kalojnë edhe makinat.
Banorët e rrugës së Gjuhadolit, kanë sinjalizuar sot në Star Plus Televizion vendosjen e një tabele rrugore. Tashmë nga dita e sotme, mjetet që futen në rrugën e Gjuhadolit në orarin e lejuar, nuk mund të vazhdojnë drejt Dugajëve të reja por duhet të devijojnë në rrugën Luigj Gurakuqi. Kjo, që lokalet jo vetëm të punojnë të qeta por ta bllokojnë krejtësisht rrugën, edhe pse nuk është akoma e qartë nëse paguajnë tarifat për zënien e hapësirës publike.
Vendosja e tabelës krijon probleme fillimisht për banorët e zones, për të gjithë qytetarët që mund të kalojnë me mjetet e tyre sepse askush nuk i ka paralajmëruar për vendosjen e tabelës. Po ashtu, rruga Luigj Gurakuqi, është më shumë një rrugicë, kun ë gjatësinë e saj, banorët rezidentë parkojnë mjetet e tyre. Praktikisht është e pamundur që ajo të përballojë fluksin e makinave që detyrohen të devijojnë, pa folur për problemet që do të krijohen në dalje e saj, në rrugën “Ludovig Saraçi”, edhe ajo më shumë rrugicë.
Duket se tabela rrugore është vendosur pa bërë llogaritë me qarkullimin rrugor, problemet e mundshme por edhe fluksin e makinave që duhet të përballojë. Pa folur këtu për vetë rrugën Luigj Gurakuqi” që me gjasa do të kthehet në parking për klientët që do të duan të shijojnë lokalet në rrugën e Gjuhadolit.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!