Disa ditë më parë Tonin Uldedaj u prezantua si drejtues politik për qarqet Shkodër e Lezhë i partisë së Astrit Patozit “Bindja Demokratike”. Ishte një lëvizje surprizë, nisur nga fakti se Uldedaj ishte eksponent i rëndësishëm i PD- së në Lezhë dhe vëllai i ish- deputetit të PD- së Gjokë Uldedaj, aktualisht kandidaturë potenciale për listën e demokratëve për Qarkun e Shkodrës, përfaqësues i Vau- Dejësit.
Nga “Bindja Demokratike” vjen një tjetër suprizë, sërish nga Shkodra. Është zbuluar emri i kandidatit të parë për këtë qark dhe është djali i një këngëtari të njohur shkodran, Nimet Leka. Ai quhet Esin Lekiç dhe lajmin e ka dhënë vetë në Facebook duke postuar një poster të shoqëruar me tekstin:
“Drejt diteve me te bukura per te gjithe, me BINDJE te plote DEMOKRATIKE… Faleminderit Kryetarit te qarkut Tonin Uldedaj dhe Bindja Demokratike per besimin… “, shkruan ai. Natyrisht, postimi i djalit është shpërndarë nga këngëtari Nimet Leka, i cili ka marrë në Facebook edhe urimet e miqve të tij.
Sipas asaj që ka deklaruar vetë në Facebook, Esini ka studiuar gjuhë shqipe në Fakultetin e Filozofisë në Beograd ndërsa më herët ka kryer shkollën e mesme “Hamdi Bushati” në Shkodër. /ShkodraWeb Media/