
Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Lezhë-Shkodër, pranë fshatit Gocaj. Dy automjete janë përplasur me njëra tjetrën. Dyshohet se dy persona kanë humbur jeten.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për nxjerrjen e trupave nga automjeti për tu transportuar më pas me ambulancë drejt morgut. Paraprakisht nga vendngjarja, bëhet me dije se dy viktimat janë çift bashkëshortësh nga Puka, ku burri është identifikuar si Petrit Florini, efektiv policie dhe gruaja, Elona Floriri. Po ashtu, kanë mbetur të plagosur një grua dhe dy fëmijë të mitur.
Ndërkohë policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Lezhë / Informacion paraprak
Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Lezhë–Mabë”, në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F. L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P. F.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P. F., rreth 53 vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E. F., rreth 45 vjeç, bashkëshortë.
Gjithashtu, janë dëmtuar 3 pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F. L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.




