
Ishte shpallur në kërkim, por nuk kishte asnjë imazh apo foto të tij. 38 vjeçari nga Patosi, është nga njerëzit më të kërkuar por vetëm sot ka qarkulluar një foto. Klodjan Bane i njohur edhe me mbiemrin Baxhaku, është personi që shihet në foto. Konsiderohet si autori i pritës ndaj Jurgen Kurtit, ku ky i fundit ndërroi jetë. Disa ditë më parë, janë vënë në pranga tre persona të konsideruar si bashkëpunëtorë të Klodjan Bane dhe pikërisht: Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë; Alesio Berberi, 33 vjeç, lindur në Patos dhe banues në Patos, Fier; Olsi Qalliu, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.
Atyre iu janë sekuestruar një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një automjet që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar pas kryerjes së vrasjes, një sasi e vogël lënde narkotike, 2470 Euro dhe lekë shqiptare, si dhe dy makina luksoze.
DINAMIKA E NGJARJES
Para se të ekzekutohej para hyrjes së pallatit nga të paktën 20 plumba të shkrepur drejt tij, Jurgen Kurti kishte qenë në një palestër që ndodhet fare pranë zonës ku ndodhi ngjarja.
Ai e frekuentonte rregullisht sallonin sportiv që ndodhet te Posta Nr.8, pas së cilës është rruga “Zef Jubani”, ku ndodhi ngjarja. Ai ka dalë nga aty dhe ka lëvizur në këmbë drejt shtëpisë, ku ra në pritën e organizuar për eliminimin e tij.
Jurgen Kurti ka qenë duke ecur në trotuarin poshtë pallatit ku banon bashkë me të ëmën, kur drejt tij është qëlluar me breshëri dhe ka mbetur i vdekur në vend. Policia ka sekuestruar më shumë se 20 gëzhoja në vendin e ngjarjes, të cilat po analizohen në Laboratorin e Kriminalistikës. Dyshhet se Klodjan Bane është paguar për atentatin nga Kurtit, por akoma nuk është arritur tek porositësi.