Paraditen e ditës së sotme, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Fondacionin “Mirënjohja”, në prani të shumë besimtarëve, përuruan kompleksin dhe xhaminë e re të lagjes Kiras.
Në këtë përurim merrnin pjesë autoritete fetare dhe civile, si dhe besimtarë dhe besimtare të shumtë, që kishin ardhur të përjetojnë këto momente gëzimi.
Këtë ceremoni përurimi e përshëndeten dhe mbajtën fjalën e tyre, sekretari organizativ i Myftinisë Shkodër, teologu Lavdrim Hamja, nënkryetari i KMSh-së, z. Taulant Bica, kryetarja e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi dhe drejtori për Ballkanin i “Komisionit për Evropën dhe dy Amerikat” në Kuvajt, Shejkh Mahmud En-Nexhdi.
Pas ceremonisë, u fal edhe namazi i drekës me xhemat. Aktiviteti ishte në kuadër të përkujtimit të 30 vjetorit të rikthimit të lirisë së fesë në Shqipëri pas 23 viteve mbyllje totale nga shteti komunist ateist në vitin 1967.