FOTO – Shkaktoi aksidentin e rëndë në kryeqytet, 19 vjeçari djali i një ish- drejtuesi të lartë të policisë

Raportohet se i riu, i cili me një makinë luksoze aksidentoi një grua shtatzënë në zonën e Porcelanit në Tiranë është djali i Erzen Breçanit, ish-drejtues i lartë policie. Jehon Breçani, 19 vjeç teksa po drejtonte mjet “Benz” ka dalë nga rruga duke përfunduar në trotuar.

Aksidenti ndodhi rreth orës 19:15, ku dyshohet se për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara, por edhe lagështirës makina humbi kontrollin dhe përplasi gruan 30-vjeçare dhe më pas edhe një pemë buzë rrugës.

Përplasja ka qenë e fortë, çka bëri që e reja të pësojë dëmtime të rënda në gjymtyrë. Ajo është dërguar menjëherë në spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, por gjendja e saj vazhdon të jetë e rënduar.

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 19:15, në rrugën “Xhanfizo Keko” mjeti me drejtues shtetasin J. B., 19 vjeç, ka aksidentuar një këmbësore ende të paidentifikuar rreth 30 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Drejtuesi i mjetit po shoqërohet në ambientet e Komisariatit nr.4, për veprime të metejshme hetimore. Grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.