FOTO/ “Risku nuk është fat, është zgjedhje…”, prezantohet në Shkodër metodologjia e përballimit të përmbytjeve…

Loading...

Sheshi para Bashkisë Shkodër ka parë paraditen e sotme dislokimin e mjeteve të MZSH-së Shkodër, Policisë së Shtetit, Spitalit Rajonal Shkodër dhe Kryqit të Kuq Shqiptar. Të gjitha këto institucione kanë ndërvepruar duke patur në themel parimin “Risku nuk është fat, është zgjedhje”. Përmes publikimeve të ndryshme, mjeteve të punës e veprimit, është vënë theksi në përballimin e fenomenit të përmbytjeve para, gjatë dhe pas saj.

Pranverën e këtij viti, Bashkia e Shkodrës u përball me një situatë thuajse biblike, ku u përmbytën mijëra hektarë tokë, shtëpi banimi e institcione të ndryshme. Peshën më të madhe të përballimin të përmbytjeve e mbajtën strukturat e qeverisjes vendore, ndërsa qeverisja qendrore, as pas kërkesave të pushtetit lokal, nuk pranoi shpalljen e emergjencës.

Pas përfundimit të përmbytjeve dhe largimit të ujit, strukturat e Bashkisë Shkodër bënë edhe vlerësimin e dëmeve, duke e depozituar në Prefekturën e Qarkut. Megjithëse kanë kaluar disa javë, nuk ka asnjë reagim edhe pse Bashkia u orientua për të kryer vlerësimin e dëmeve, me idenë se do të gjenden hapësira ligjore për të mundësuar dëmshpërblimin e banorëve për dëmet që iu shkaktuan si pasojë e hapjes së portave të shkarkimit në hidrocentrale. /ShkodraWeb/

Loading...